Allegri: Balo, bëhu më dinak!

14/02/2013 21:00

Në konferencën për shtyp para ndeshjes që Milan do të luajë ndaj Parmës (të premten, ora 20:45), pyetjet më të shumta për trajnerin e kuqezinjve, Massimiliano Allegri, i referohen Mario Balotellit.

Tekniku livornez i përgjigjet duke nxjerrë në pah të mirat e qendërsulmuesit që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë Serisë A pas rikthimit në Itali: “Është një djalë normal. Tani që është kthyer në Milano ka kuptuar që duhet ta menaxhojë më mirë jetën private. I kam dhënë këshilla. Duhet të tregohet më dinak me mediat. Stërvitet mirë dhe është i përpiktë. Jam i kënaqur me të. Për momentin është protagonist dhe mund të bëhet një lojtar i madh sepse i ka të gjitha cilësitë teknike dhe fizike.”

Allegri theksoi se ndeshja ndaj Parmës është më e rëndësishme se ajo ndaj Barcelonës: “Të premten duhet të fitojmë patjetër. Nuk duhet të mendojmë për Barcelonën. Duhen tre pikë që të kapim Lazion në klasifikim dhe fitorja do të na jepte më shumë moral për ndeshjen e Champions. Barcelona është skuadra më e fortë në Botë dhe e di që është takim i rëndësishëm, por Parma është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në këtë moment.”

Top Channel