Arben Manaj – Jo rastësisht thuhet që çudia më madhe zgjat tri ditë.
Duket, dhe shpresoj të mos jetë vetëm aparencë, por kësaj here sikur ka
një prishje të normës.
Arsyet mund të jenë të shumëllojshme; tejngopje me kapriçiot antidemokratike të një vendi të NATO-s, aspirant për në BE, kalimi i vijës së kuqe, vetëkorrigjim dhe kapërcim naiviteti perëndimor ndaj hileve ballkanike, apo thjesht një stuhi në gotë për të rikthyer qetësinë vrastare, ambientin ideal ku gëlojnë antidemokratët në shpirt.
Po flitet shumë për rolin e ambasadorit amerikan në Tiranë, taktikat e tij për çfitilizimin e situatës shpërthyese në vend pas vendimit të gjykatës për 21 janarin, apo akoma më çuditshëm glorifikimin e zgjuarsisë dhe macho-izmit berishian ndaj amerikanëve!!!
Shpesh ne shqiptarët mendojmë orgazmikisht se jemi qendra e botës, dhe në Departamentin amerikan të Shtetit, dy të tretat e stafit diplomatik merren vetëm me Shqipërinë, Berishën dhe Ramën.
Shpesh ne mendojmë se udhëheqësit tanë, ose më saktë Berisha, pasi vetëm ai në të vërtetë ka pas probleme me amerikanët gjatë 22 vjetëve si politikan dhe drejtues i vendit, kanë aq organe të forta gjenitale sa t’u thonë amerikanëve, “f…off!”.
Besoj se asnjë nga këto iluzione dhe mite nuk qëndron. Amerika zhvillon një politikë të jashtme mbi disa parime bazë, si ato të promovimit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe vlerave perëndimore të ekonomisë së tregut dhe sigurisë, të cilat padyshim amalgamohen me interesa strategjike dhe gjeopolitike, sa të mirëfillta amerikane, aq edhe të përbashkëta me partnerët e saj, jo vetëm perëndimorë.
Dhe çdo vend në bazë të peshës specifike, zë dhe merr aq vëmendje sa shihet oportune.
Berisha dhe Shqipëria nuk është për Amerikën, as Ahmedinexhadi dhe as Irani, as Kameruni dhe as Britania.
Të krijosh mite rebelësh antiamerikanë në një terren shqiptar është infantile politikisht dhe do të thotë të spekulosh trashë.
Ajo që ndodh me problematikun piciruk shqiptar, Berisha, në relacion me amerikanët, është aq sa një situatë e ngjashme me atë të maçokut të vogël që ndiente kënaqësi të jashtëzakonshme kur ngrohej në diell, duke e keqkuptuar nocionin e aktit të vetëkuptuar, aq edhe glorifikim folklorik i denjë për popuj lehtësisht të manipulueshëm intelektualisht.
Amerika, si fuqia që realisht sundon me forcën e modelit demokratik, potencës ushtarake, tigrit ekonomik, sundon po ashtu edhe me fuqinë e informacionit dhe njohurive për çdo bëmë dhe sekret të politikanëve lokalë, si dhe influencave të padiskutueshme te këta të fundit, nëse momenti dhe interesi i ditës ose ai afatgjatë e kërkon.
Është e vetëkuptueshme se amerikanët dinë shumë më tepër se ç’mund t’ia rrokë mendja një shqiptari të thjeshtë, për gjithçka ndodh në Shqipëri, dhe thuajse të gjithë vendimmarrësit aktualë dhe ata potencialë, të korruptuarit dhe të ndershmit.
Andaj, askush prej tyre nuk ka as mundësinë praktike dhe as dëshirën, qoftë të kushtëzuar, qoftë të sinqertë nga proamerikanizmi në rastin më të mirë, për të kundërshtuar dhe për t’i dalë në ring Uashingtonit.
‘97-a, dëshmoj ndër shumë gjëra të tjera edhe pasojat e karshillëkut me amerikanët, dhe dihet sesa investuan ata për të korrigjuar politikisht Shqipërinë e atëhershme, korrigjim që mendjelehtësisht u zhbë nga shqiptarët vetëm pas dy mandatesh pasuese qeverisëse. Dhe në këtë sens, amerikanët na kanë dalë borxhit.
Praktikisht sërish në Shqipëri drejton ose më saktë risundon i njëjti politikan që për sytë e shqiptarëve, projektohet si “kockë e fortë”, dhe që luan pa bërë off side, kur e ka marrë një karton të verdhë në pjesën e parë.
Ndërkohë, po i njëjti njeri, ky pseudo-qëndrestar antiamerikan brenda Shqipërisë, shndërrohet në servilin më të madh të sojit politik shqiptar, me ftesë në xhep për vizitë në Shqipëri për çdo zyrtar të nivelit të lartë të administratës amerikane që takon nëpër protokolle ndërkombëtare, siç ishte së fundmi rasti i zëvendëspresidentit amerikan, Xhozef Bajden.
Aktualisht ka një ashpërsim parimor të qëndrimit amerikan ndaj qeverisë së Tiranës, pasi durimi duket se po soset dhe shakaja dhe loja e Tiranës për të bërë të fortin, po keqkuptohet deri në abuzim nga Berisha.
Eventualisht dhe gjithmonë ndërhyrjet kirurgjikale amerikane bëhen kur organizmi rrezikon fatalisht nga paaftësia dhe mosfunksionimi përfundimtar i ndonjë organi vital në një shoqëri të caktuar, i cili në demokraci ka gjithmonë shansin dhe fatin e transplantimit përmes zgjedhjeve.
Enigma më madhe është nëse do të ruhet ky momentum anti-Berishë nga Uashingtoni, përmes kryediplomatit të saj në Tiranë, apo kemi të bëjmë lëvizjen diplomatike të radhës për të qetësuar dhe mbajtur nën kontroll valvulat shpërthyese shqiptare, për hir të një interesi specifik të pakoduar ende, dhe që potencialisht do duhet të presë deklasifikimin e arkivave diplomatike amerikane pas shumë dekadash.
Top Channel