Skandali seksual, futbollisti i Francës rrezikon burgun

13/02/2013 19:25

Mesfushori i kombëtares franceze dhe Rubin Kazanit në Rusi, Yann M’Vila, përballet me një hetim të drejtësisë, mbi një rast të ri të marrëdhënieve seksuale me të mitura, raportoi të mërkurën “L’Equipe”.

Një minorene, e cila prostituohej vullnetarisht, u arrestua për një vjedhje javën e kaluar në Paris dhe në celularin e saj u gjetën mesazhe e kontakte të disa prej futbollistëve të kombëtares, midis të cilëve edhe M’Vila.

Sipas ligjit francez, prostitucioni nuk është një vepër penale, por marrëdhëniet seksuale me një minorene, në momentin kur dihet mosha e saj, janë të dënueshme me burgim deri 3 vjet (për moshën 15-18 vjeç. Nën 14 vjeç klasifikohet si pedofili)

Një rast i ngjashëm vendosi në qendër të vëmendjes publike dy futbollistë të kombëtares franceze në 2011-n.

Ribery dhe Benzema pranuan atëherë se kishin shkuar me një vajzë “telefonatash”, por gjyqi provoi se ata nuk e dinin se në atë kohë ajo ishte 16-vjeçare dhe u shpallën të pafajshëm.

M’Vila, një futbollist i klubit të Renës deri në merkaton e janarit, ka zhvilluar 22 ndeshje me kombëtaren franceze, duke shënuar një gol të vetëm, në fitoren e “gjelave” në “Qemal Stafa” ndaj kombëtares sonë. (Shqipëri-Francë 1-2 në 2011-n). Ai konsiderohet si një prej talenteve më premtues të futbollit francez.

Top Channel