Me Luciana Litizzetto në karrocën e Hirushes ka nisur Festivali i Sanremos, i cili prezantohet nga Fabio Fazio së bashku me aktoren komike italiane.

Mbrëmja e parë i kushtohej këngëtarëve “big”, të cilët u paraqitën me nga dy këngë secili dhe vetëm njëra përzgjidhet nga juria për natën finale. Këngëtari i parë që u ngjit në skenë ishte Marco Mengoni, i cili këndoi “L’essenziale” dhe “Bellissimo”. Kënga e parë kaloi turnin.

Më pas, Raphael Gualazzi këndoi “Senza ritegno” dhe “Sai (ci basta un sogno)”. Kënga më e votuar ishte “Sai”.

Mbrëmja vazhdoi me Daniele Silvestrin, i cili solli tek publiku këngët “A bocca chiusa” dhe “Il bisogno di te (ricatto d’onor)”, me këngën e parë që kaloi në finale.

Simona Molinari dhe Peter Cincotti
kënduan “Dr Jekyll e Mr Hyde” dhe “La Felicita”. Kjo e fundit u votua më shumë nga juria.

Grupi Marta sui Tubi interpretoi këngët “Dispari” dhe “Vorrei”. Kalon më tej “Vorrei”.

E parafundit u paraqit në skenë Maria Nazionale me “Quando non parlo” dhe “E’ colpa mia”. Kënga e dytë e saj mori më shumë vota.

Chiara Galiazzo prezantoi në fund këngët “L’esperienza dell’amore” dhe “Il futuro che sara”, kënga e fundit e kualifikuar për në finale.

Sot do të ngjiten në skenë 7 “big” të tjerë: Modà, Malika, Cristicchi, Almamegretta, Elio e le Storie Tese, Max Gazzè e Annalisa. Do të performojnë edhe 4 të rinjtë e parë: Il Cile, Rubino, Blastema dhe Ghiotto. Vetëm dy prej tyre do të kualifikohen për në finale.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta