Inter, Simeone në vendin e Stramaccionit?

13/02/2013 19:05

Interi ka humbur besimin tek trajneri Stramaccioni dhe është duke menduar për argjentinasin Diego Simeone për sezonin e ardhshëm.

Kështu informoi të mërkurën rrjeti informativ “Mediaset”. Sipas raportimit në fjalë, ndonëse Moratti do t’i besojë trajnerit të tij aktual deri në fund të sezonit, ai dëshiron një trajner të profilit të lartë për të përgatitur një ekip që të jetë në gjendje të luftojë për tituj.

Diego Simeone ka drejtuar Atletikon e Madridit në një sezon të mrekullueshëm këtë vit, me ekipin që pozicionohet në vend të dytë, i lënë pas vetëm nga Barcelona dhe me kualifikimin në Champions për edicionin e ardhshëm praktikisht të sigurt.

Një ish-futbollist i kombëtares argjentinase, Simeone luajti dy sezone për zikaltërit, në vitet 1997-99 dhe që prej atëherë, gëzon një raport të përzemërt me tifozët e klubit.

Megjithatë, nëse për ndonjë arsye kalimi i 42-vjeçarit në “San Siro” nuk do të konkretizohet, midis alternativave për stolin e Interit përfliten Petkoviç, Mazzarri dhe Blanc.

Top Channel