
Sfida mes dy gjigandëve europianë do të mbajë të lidhur para televizorit miliona shikues. Real Madrid-Man.United, e cilësuar ndryshe si finalja e parakohshme e këtij sezoni në Champions, do të vërë përballë dy trajnerët më të përfolur për momentin.
Për Jose Mourinho kjo minifinale shihet si rasti më i mirë për t’iu larguar sadopak sulmeve të gazetave spanjolle: “Reali do trofeun e dhjetë, ndërsa unë dua të tretën Ligë Kampionesh. United është një skuadër e madhe dhe me shumë eksperiencë në kompeticione të tilla, por ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Unë nuk dua ta mbyll karrierën time me 2 Champions dhe kam besim te vetja dhe te skuadra që mund t’ia dalim.”
Nga ana tjetër, skocezi Sir Ferguson mendon se presioni më i madh do të jetë mbi madrilenët: “Do të jetë një spektakël pasi do të ndeshen dy skuadra të mëdha. Reali ka bërë një nisje jo të mirë në kampionat dhe mendoj se qëllimi i vetëm i tyre është Champions. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por presioni i ndeshjes do të bjerë më shumë mbi madrilenët.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, do të ndeshen Shakhtar Donetsk dhe Borussia Dortmund. Ukraninasit janë skuadra që luajnë futbollin më brazilian në këtë kompeticion, ndërsa Dortmund duke kaluar Grupin e Ferrit ka treguar se mund të fitojë ndaj të gjithëve.
Top Channel