Tabir Saraji dhe interpretimi i 21 janarit

12/02/2013 00:00

Andrea Stefani – Emanuel Kanti besonte që realiteti i konformohet
mendjes së njeriut. Por kjo nuk do të thotë se ne mund ta lexojmë
realitetin si të duan interesat tona. Objektiviteti i njohjes qëndron në
faktin se realiteti u ofrohet mendjeve normale në një formë dhe
përmbajtje konstante.

Por ky objektivitet cenohet pikërisht kur vjen momenti i interpretimit të të dhënave të realitetit nga vetë mëndja. Përgjithësisht njerëzit bien dakord për sa i takon interpretimit të fakteve natyrore. Por ndryshon puna në sferën shoqërore. Këtu mundësitë e shtrembërimit me kast të fakteve apo e keqinterpretimit të tyre, janë shumë të mëdha nga që hyjnë në lojë interesa të kundërta me njohjen. Sot nuk para ka interesa politike në kundërshti me njohjen e dukurive natyrore. Prandaj faktet shërbejnë pa pengesë si mjet për të zbuluar dhe kuptuar atë që fshihet pas fakteve pra, atë që mund të kapet vetëm me mend, vetëm të mendueshmen. Në të kundërt, në sferën shoqërore ka interesa politike që bien ndesh me njohjen dhe shpjegimin e drejtë të fakteve. Prandaj ngjarjet dhe faktet jo rrallë keqpërdoren për të gabuar mendimin e për rrjedhojë, të vërtetat faktuale në vend që ta ndihmojnë, e pengojnë njohjen. Nga vegël e së vërtetës shndërrohen në penguese të saj. Kjo është arsyeja që politikanët në vend të të vërtetave logjike preferojnë ato faktuale. Interpretimi i fakteve, selektimi, trukimi, fshehja e tyre sipas interesave, e bën tepër të vështirë gjurmimin dhe zbulimin e së vërtetës në sferën sociale. Ne biem dakord, pa shumë fërkime, për shkaqet e ngjarjeve natyrore por jo për shkaqet e ngjarjeve sociale. Kështu mund të biem dakord për shkakësinë e shiut apo erës, por ngatërrohemi keq lidhur mbi shkakësinë e vrasjeve më 21 janar apo të viktimave në Gërdec.

***

Është për këtë arsye që, në sferën sociale, kërkimi i së vërtetës duhet të priret me përparësi nga e paperceptueshmja, nga vetëm e mendueshmja. Duket si një kontradiktë. E prekshmja, solidja, faktikja bëhet shumë më fluide, më e pakapshme, më relative, më e interpretueshme se e paprekshmja. Në të kundërt, ajo që është vërtet fluide dhe e pakapshme, merr një formë më solide. Konkretja bëhet tmerrësisht e paqëndrueshme dhe abstraktja bëhet e qëndrueshme! Pse? Sepse të vërtetat logjike janë të pavarura nga interpretimi që njerëzit u bëjnë sendeve, fakteve. Për më tepër të vërtetat logjike nuk mund të asgjësohen sikundër rëndom po ndodh me të vërtetat faktuale. Kjo është epërsia e arsyes mbi shqisat, forca e saj.

***

Natyrë e regjimeve totalitare dhe e lëvizjeve politike që të çojnë në to është errësimi i arsyes nëpërmjet disa të “vërtetave” faktuale. Hitleri i vuri zjarrin Rajhshtagut dhe akuzoi komunistët se donin të shkatërronin demokracinë. Shumica e gjermanëve iu bashkuan ose e mbështetën Hitlerin në këtë aksion që, i zhvilluar në emër të mbrojtjes së rendit demokratik, ishte fillimi i rrënimit të demokracisë. Jo pak nga ata që e mbështetën, përfunduan në kampe përqendrimi apo si kufoma në fushat e luftës agresive. Sulmin mbi Poloni, Hitleri e justifikoi duke i akuzuar polakët për një agresion mbi një radiostacion gjerman, agresion i fabrikuar nga ai vetë. Enver Hoxha masakroi opozitën politike pasi e akuzoi për hedhje bombash mbi ambasadën sovjetike gjë që në fakt, e kishin bërë agjentët e tij. Sali Berisha akuzoi Fatos Nanon për vrasjen e Azem Hajdarit për të justifikuar sulmin e armatosur mbi Kryeministri të fanatikëve të tij. Është po Sali Berisha që një përleshje të dhunshme të demonstruesve me policinë para zyrës së tij më 21 janar, e interpreton si sulm mbi Kryeministri apo puç pikërisht për të përligjur vrasjen e 4 protestuesve paqësorë. Si të gjithë politikanët mashtrues, ai ka dëshirë të luajë me faktet, t’i komentojë ato sipas interesit të tij. Por i qëndron larg të vërtetave logjike. Për shembull nuk ka qejf fare t’i referohet maksimës që në demokraci nuk qëllohet me fishekë luftarakë mbi protestues të paarmatosur me armë luftarake. Kjo logjikë e dërrmon. Kjo logjikë e nxjerr fajtor politikisht. Kjo logjikë e dënon me dorëheqje. Prandaj këmbëngul tek interpretimi i “fakteve” ku ndihet si peshku në ujërat e veta. Sepse zhduk ato që nuk i interesojnë, ndërsa prodhon të tjera që i nevojiten. Kështu vonon hetimin, duke penguar ndalimin në kohë të gardistëve nga prokuroria, zhduk të dhënat e serverit të Kryeministrisë, ndërkohë që prodhon “fakte” për vrasjen e protestuesve nga opozita me thika me helm apo çadra pistoletë. Dhe kur për fatin e tij të keq, kamerat e medias provojnë se protestuesit janë vrarë nga gardistët e tij larg oborrit të Kryeministrisë dhe kur gardistët apo policët s’i kërcënonte asgjë, atëherë shpik gënjeshtra të tjera, rikoshetën, rregulloren e Gardës që përligjka vrasjet apo grushtin e shtetit. Përdor çdo shpifje e gënjeshtër që ta bëjë të drejtën të rreshtohet përdhunshëm në anën e tij. Këtë taktikë të gënjeshtrës ia lehtëson shumë edhe gjendja e rrënuar e prokurorisë dhe gjykatave që vetë i ka rrënuar. Sepse po të mos ishin të tilla, nuk do të mund të interpretonin faktet ashtu siç do ai. Dhe kur opinioni proteston i skandalizuar nga padrejtësia e hapur e vendimit të gjykatës, ngrihet në mbrojtje të “pavarësisë” së gjykatave të kapura prej tij, ngrihet kundër presioneve mbi ca gjykatës që me lloj-lloj presionesh, i ka vënë në shërbim të tij!

***

Dhe pas kësaj, si të mos na fanepset Tabir Saraji, pallati kadarean i ëndrrave, ai mekanizëm shtypjeje dhe deformimi që besonim se e kishim lënë pas? Sepse edhe sot nuk ka më rëndësi se cila është e vërteta, por INTERPRETIMI i fakteve. Dallimi është fare i vogël. Në Tabir Saraj interpretohej ëndrra. Në Shqipërinë e sotme, gjykatës pa integritet, që i shërbejnë Berishës si dikur pushteti komunist dhe Enverit, interpretojnë faktet siç i intereson Berishës. Nëse në Tabir Saraj një ëndërr interpretohej me qëllim që nga ajo të shpikej një realitet, sot në gjykatat shqiptare, realiteti interpretohet për të faktuar një “ëndërr” që është vetëm në kokën e kryeministrit. Në Tabir Saraj irrealja përdorej për të fabrikuar realen. Në gjykatat shqiptare realja përdoret për të fabrikuar irrealen. Mundësitë e Interpretimit për mashtrimin e opinionit janë pa fund. Ky sektor nuk është përmbysur së bashku me Pallatin Ëndrrave. Një fjalë, një fakt marrin kuptime nga më të ndryshmet. Interpretimi është liria e abuzimit me fjalën, me faktet. Pallati komunist i ëndrrave u shemb por mekanizmi i tij është i gjallë, si mendësi, në kokat e politikanëve si Sali Berisha me kompani. Dhe një nga ëndrrat e këtyre kokave, bashëndrra e tyre, është ringritja e Tabir Sarajit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA