Fiks Fare: Importi i mbeturinave

12/02/2013 00:00

Emisioni “Fiks Fare” publikoi për herë të parë mbrëmjen e së martës një listë përmbledhëse të mbetjeve që janë eksportuar nga Italia drejt Shqipërisë.

Pas investigimit të bërë nga gazetarja Alisa Mysliu, u zbulua një raport që mbante datën 20 korrik të vitit 2012, i komisionit hetimor parlamentar mbi aktitvitetin e paligjshem të lidhur me qarkun e mbetjeve. Në raportin e bërë pas hetimeve të kryera nga prokuroria e qytetit të Barit thuhet se:

“Kemi patur, këtë e kemi verifikuar, një fenomen të vjetër që po e zbulojmë tani, eksportimin e nënprodukteve të mbetjeve drejt Shqipërisë, që ka qenë një destinacion për vite me radhë i nënprodukteve”.

Nisur nga ky hetim, i konfirmuar edhe nga prokuroria e Barit, “Fiks Fare” i kërkoi zyrtarisht Agjencisë Doganore Italiane një listë të mbetjeve të eksportuara nga Italia në Shqipëri për 10 vitet e fundit.

“Në radhë të parë kemi 3 lloj mbetjesh që nuk janë në listën e gjelbër, si bateritë e akumulatorët, që klasifikohen si shumë të rrezikshme. Nëse sasia në vitet 2003-2008 ka qenë rreth 2 tonë, në vitin 2010-2011, sasia shkon mbi 1 mijë tonë. Kjo është vërtetë problematike dhe mbetjet kanë vazhduar të importohen edhe pse ka një vendim qeverie”, tha ambjentalisti Lavdosh Feruni.

Në korrik të këtij viti në Bari u sekuestruan kontenierë me 21 ton mbetje urbane me destinacion Shqipërinë. Për këtë ngarkesë, që sipas informacioneve vinte nga Napoli, “Fiks Fare” kontaktoi me nënkryetarin e komunës së Napolit, i cili deklaroi se nuk kishte dijeni mbi këtë ngarkesë.

“Nuk jam në dijeni të kësaj historie dhe këtyre konteinerëve, por përjashtoj faktin që mund të vijnë nga qyteti apo fshatrat e Napolit”, deklaroi Tomaso Sodano.

Por kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Investigativë, Leonato Gaetano, i cili ka investiguar mbi eksportin e paligjshëm të mbetejeve, nuk e përjashton mundësinë që e njëjta rrugë të jetë ndjekur edhe me Shqipërinë apo Afrikën.

“Investigimi ynë ka konsistuar në trafikun e mbetjeve në Rumani nga kompani italiane, klanet kamorriste dhe shërbimin sekret rumun. E njëjta pistë mund të jetë ndjekur për Shqipërinë dhe Afrikën”, deklaroi Gaetano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA