Koret raciste për Balotellin, gjobitet Interi

11/02/2013 20:00

Interi u gjobit me 15 mijë euro nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Italiane, për shkak të koreve raciste të tifozerisë ndaj sulmuesit Mario Balotelli.

Vendimi i gjykatësit sportiv, Gianpaolo Tosel, u motivua nga “koret fyese dhe shprehjeve të diskriminimit racor”, të ndodhura në ndeshjen e së dielës, Inter-Chievo 3-1.

Gjatë këtij takimi, një pjesë e tifozëve fanatikë pas porte nisën të këndonin “Nuk ka zezakë italianë”.

Thirrje të tilla acarojnë situatën në një moment të papërshtatshëm, dy javë përpara se dy skuadrat e Milanos të përballen në derbin e datës 24 shkurt.

Koret e papërshtatshme u dënuan edhe nga presidenti Moratti, i cili shprehu “keqardhjen për këto thirrje raciste” dhe kërkoi që ato të mos përsëriten në ballafaqimin me Milanin.

Top Channel