Ilir YZEIRI – Vendimi që dha Gjykata e Tiranës për vrasësit e 21 janarit ishte i pritshëm, sepse një rrugë të tillë e patën shtruar më parë Toma e Sashenka, të cilët dhanë një vendim pothuajse të njëjtë si ky për 21 janarin.
Toma dhe Sashenka nxorën të pafajshëm vrasësit e demokracisë, ndërsa ky gjyqtari i fundit, të cilit as emrin nuk dua t’i përmend, nxori të pafajshëm vrasësit e protestuesve që kishin dalë të manifestonin kundër vrasësve të demokracisë. N
ë raste të tilla, në një vend normal europian, specialistët, analistët dhe juristët do të ishin në protesta civile dhe do të kërkonin që drejtësia të vihet në binarë. Shqetësimi që shfaqi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë kur deklaroi se vendimi “na tronditi” ishte një shenjë që tregonte se si e përjetojnë vendet demokratike kalbëzimin e drejtësisë.
Mirëpo, në qoftë se miqtë tanë më të mëdhenj, SHBA-ja, tronditet, ne shqiptarët çfarë duhet të bëjmë? Në një vend normal demokratik vendi duhet të ishte ngritur në këmbë dhe protestat e ligjshme duhet të përmbytnin gjithë vendin.
Mirëpo, te ne po përsëritet e njëjta situatë si në vitet e pasluftës kur u instalua diktatura komuniste. Edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet, gjykatat luajtën një rol përcaktues në instalimin e diktaturës. Sot, kundërshtarët e diktaturës, me të drejtë, denoncojnë krimet e komunizmit dhe pushkatimet e intelektualëve dhe kundërshtarëve të regjimit i shpallin si krime.
Po tani, në regjimin e Sali Berishës dhe të Jozefina Topallit këto krime si duhet t’i quajmë? Është e njëjta logjikë. Sot gjykatësit e të gjitha niveleve e ndiejnë veten shërbëtorë të vijës së Partisë Demokratike dhe gjyqet e rëndësishme që përcaktojnë thelbin e sistemit dhe ato që gjykojnë palët në konflikt politik, për këto gjyqe, gjyqtarët e partisë japin vendime në favor të qeverisë demokratike.
Kështu veproi Kolegji Zgjedhor që liroi nga akuzat vrasësit e demokracisë, po kështu veproi edhe kjo gjykatë burracake që liroi në sallën e gjyqit vrasësit e protestuesve të pafajshëm. Situata është kritike dhe Sali Berisha e qeveria e tij po ecën e vendosur drejt instalimit të regjimit autokratik të tipit të Mubarakut. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim.
Berisha ka zgjedhur gjykatat që të shkarkojë atje padrejtësitë dhe krimet që ai kryen. Në botën demokratike, gjykatat janë institucione të shenjta dhe në tekstet teorike për demokracinë thuhet se sistemi i drejtësisë është i gjithë popullit, ndryshe nga qeveria që vjen nga një pjesë e zgjedhësve dhe ndërrohet me zgjedhje. Gjyqtarët nuk ndërrohen kur ndërrohet qeveria dhe ligji është i barabartë për të gjithë.
Mirëpo, në Shqipëri kurrë, e përsërit kurrë nuk ka ndodhur që drejtësia të jetë ndarë nga pushteti. Mirëpo tani, në regjimin despotik të Berishës drejtësia shërben për të legjitimuar pushtetin dhe krimin e kësaj qeverie.
Njësoj si në kohën e diktaturës edhe sot Berisha, të gjitha proceset kriminale të vrasjes së demokracisë do t’i pastrojë duke i certifikuar me vendime gjykatash. Ka një opinion në Shqipëri sikur Berisha këtë radhë do të largohet nga pushteti sepse po armiqësohet me SHBA-në. Ky është naivitet.
Edhe Viktor Orban, Kryeministri hungarez, është armiqësuar me SHBA-në, madje për të është shprehur e shqetësuar edhe vetë ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, zonja Klinton dhe Orban nuk u tërhoq dhe nuk po tërhiqet. Berisha e ka testuar mirë mbështetjen e SHBA-së dhe e di që këtë radhë nuk ka luftë në Ballkan siç kishte në vitin 1996.
Ndaj shqiptarët duhet që këtë radhë të mendohen mirë, sepse Berisha jo vetëm që do të nxjerrë të pafajshëm vrasësit e protestuesve, por edhe do të jetë gati të derdhë përsëri gjak dhe pushtetin nuk e dorëzon. Edhe pasi të derdhë gjak, përsëri gjykatësit e tij do të nxjerrin të pafajshëm vrasësit dhe do t’u japin një mësim tjetër shqiptarëve. Ky mësim do të jetë njësoj si mësimi që u dha Enver Hoxha shqiptarëve në rastin e incidentit në Ambasadën Sovjetike.
Zgjedhjet do t’i fitojë Berisha me ndihmën e gjykatësve të tipit Tomë e Sashenka, protestuesit do t’i vrasë më Ndreat e Llupot dhe drejtësia do të nxjerrë të pafajshëm cilindo vrasës që përfundon në gjykatë. Por ne kemi harruar një fakt.
Ndrea Prendi dhe Llupoja përfunduan në bankën e të akuzuarve se prokurore ishte Ina Rama. Tani që edhe prokurori Llalla është prokuror i vijës së partisë asnjë vrasës i demokracisë nuk do të përfundojë në gjykatë.
Shqiptarët duhet të bëhen gati se po futemi në një regjim nga i cili do të shpëtojmë vetëm kur ai të kalbet e të na zërë brenda siç ndodhi në vitin 1990. Ndaj zërat për vetëgjyqësi që po dëgjohen gjithnjë e më shumë janë një realitet që do të bëhet gjithnjë e më i dukshëm në ditët që vijnë, në ato ditë që edhe ajo pak gjyqësi që ka mbetur do të shkërmoqet e tretet krejtësisht.
Top Channel