Nigeria, kampione e Afrikës për të tretën herë

10/02/2013 21:40

Ditën e diel, “Super Shqiponjat” e kontinentit afrikan kanë mposhtur 1-0 Burkina Fason në finale, për t’u shpallur fitues për të tretën herë të Kupës së Kombeve të Afrikës, edicion ky i zhvilluar në Afrikën e Jugut.

Nigeria kaloi në avantazh vetëm pak momente pasi kishte nisur pjesa e dytë e takimit, kur Mba e kaloi topin mbi Mohamed Koffi e më pas, me një gjuajtje fluturimthi e dërgoi atë në cepin më të largët të portës.

Burkina Faso për pak sa nuk barazoi, kur Wilfried Sanou detyroi portierin kundërshtar, Vincent Enyeama, të kryente një hedhje shpëtimtare, duke e devijuar topin me majat e gishtërinjve.

Ndeshja ishte e rivalizuar nga të dy ekipet, edhe pse një dominim i lehtë u vu re nga nigerianët, të cilët u treguan edhe më të saktë para portës kundërshtare.

Top Channel