Man. City, çek të bardhë për Neymar

08/02/2013 00:45

Neymar te Barcelona? Për shumë veta, tashmë duket diçka e mbyllur, por jo për drejtuesit e City-t, të cilët kanë vendosur “t’ia rrëmbejnë” talentin brazilian spanjollëve, falë diferencës në ofertë.

Sipas “El Mundo Deportivo”, me rastin e ndeshjes Angli-Brazil, agjenti i yllit të Santos-it, Pini Zahavi, ka takuar për një drekë drejtorin teknik të Manchester City-t, Txiki Begiristain.

Mbi tavolinë është lëshuar një çek i bardhë… Njoftimi i bujshëm duket se ka befasuar paksa të gjithë sportdashësit. Mbi të gjithë Laporta-n, i cili kishte udhëtuar për në Londër pikërisht për të takuar Zahavi-n dhe për të parë situatën në lidhje me çështjen “Neymar”.

Nga të afërmit e yllit të Santos-it nuk rrjedh asnjë thashethem, por oferta skandaloze e City-t nuk besohet të ketë lënë indiferent Neymar&Co. Sfida për të siguruar shërbimet e talentit brazilian duket ende e hapur. City e ka marrë seriozisht, ndërsa Barcelona paralajmërohet…

Top Channel