Cagliari-Milan do të zhvillohet në Torino

08/02/2013 00:15

Cagliari-Milan, ndeshje e vlefshme për javën e 24-t të Serisë A, që do të luhet të dielën në mesditë (15:00), është vendosur të zhvillohet në “Olimpico” të Torinos, stadiumi i ekipit “granata” të Venturas.

Vendimi i Ligës së Futbollit vjen pas dialogut të pasuksesshëm me Prefekturën, e cila kishte refuzuar përdorimin e stadiumit “Is Arenas”, të ndodhur në Quartu, për shkak se mungonin kushtet bazë në lidhje me sigurinë dhe rendin publik.

Në internet ka shpërthyer irritimi i tifozëve sardë, por Berlusconi, nga ana tjetër, është shprehur: “Pse Napoli po, ndërsa ne jo?”.

Për Cagliari-n dhe Cellino-n, me sa duket do të zhvillohet një tjetër ndeshje “shtëpiake” larg nga Sardenja, pas asaj të disa javëve më parë me Juventus (që u luajt në Parma). Milan, nga ana e tij, ishte shprehur i gatshëm të priste deri mëngjesin e së shtunës, për të zhvilluar ndeshjen në “Is Arenas”, duke dalë kështu në krah të shoqërisë kuqeblu, presidentit dhe tifozëve të saj.

Por, prefekti ka bllokuar gjithçka, mbi të gjitha për shkak të ardhjes së mundshme të ultrasve kuqezinj, të cilët do ta bënin të vështirë ruajtjen e rendit publik. Ndërsa Observatori kishte autorizuar zhvillimin e ndeshjes në “Quartu”, por me një impenjim më të madh të forcave të rendit.

Tashmë mbetet të kuptohet pozicioni i Cagliari-t, pasi klubi sard, edhe përmes presidentit Cellino, kishte deklaruar se do ta zhvillonin ndeshjen vetëm në “Is Arenas”. Sipas disa burimeve, skuadra mund të mos paraqitet në Torino, pavarësisht kërcënimit të humbjes në tavolinë 3-0.

Top Channel