Barça kërkon një lojtar të Realit

08/02/2013 20:50

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, pranoi se do të ishte i interesuar që të sillte në skuadër një prej futbollistëve të Realit, për të cilin prej vitesh ka një simpati të fortë.

“Është një futbollist i Realit, i cili më magjeps prej vitesh, por nuk dua t’i them emrin, pasi dihet se çfarë do të bënin mediat. Reali ka disa futbollistë të mëdhenj dhe pa dyshim, ndonjëri prej tyre do të kishte vend edhe tek Barcelona. A është Iker Casillas? Nuk jap pista”, tha Rosell.

Përsa i përket klasikes, numri një i katalanasve shtoi: “Është një ndeshje shumë intesive, një moment shumë i veçantë dhe i bukur për t’u përjetuar. Është një prej atyre ndeshjeve që kur fitohet është meritë e futbollistëve dhe kur humbet, përgjegjësi e presidentit”.

Rosell foli edhe për çështje të tjera, si Guardiola, kombëtarja spanjolle dhe gjendja ekonomike e Barçës. “Guardiola na mungon. Do të flitet gjithmonë në historinë e futbollit për binomin që ai formoi këtu, por jeta vazhdon. Kombëtarja? Mua nuk më pëlqejnë bastet, por nëse do të më pëlqenin, do të vendosja Spanjën përsëri kampione bote. Është përfaqësues më e mirëorganizuar, ka një stil loje shumë të qartë dhe një marrëdhënie shumë të mirë mes lojtarëve. Financat? Kur morën drejtimin e klubit përballeshim me borxhe të mëdha, që tani janë reduktuar. Tani kemi ende detyrime, por jo ndaj lojtarëve apo aksionerëve. Borxhi ynë është i kontrolluar, gjithsej rreth 300 milionë euro”.

Top Channel