Nadal: Rikthehem numri një në botë

07/02/2013 19:15

Rafael Nadal mbetet jashtë aktivitetit që në qershor 2012, por ish-numri një në botë, nuk ka ndërmend të humbë aktivitetin e tij të preferuar, “Roland Garrosin”.

”Dua të rikthehem sa më shpejt të jetë e mundur dhe sinqerisht, mendoj se do të arrij të rikthehem në nivelin tim më të mirë”, tha Nadal, në një intervistë për të përditshmen sportive franceze “L’Equipe”.

””Roland Garros” është një motivim i jashtëzakonshëm, një kompeticion që e adhuroj dhe që nuk dua ta humb në asnjë mënyrë”.

Në intervistë, Nadal kundërshtoi besimin se vitet e ardhshme të tenisit botëror do të mbizotërohen nga Djokovic dhe Murray.

”Unë jam vetëm një vit më i moshuar se ata dhe besoj se jam në gjendje që të rivalizoj denjësisht. Mos harroni se deri përpara tetë muajsh, isha në pozicion shumë të mirë për t’u rikthyer numri një në botë nëse nuk do të kisha pasuar dëmtime”, shtoi Nadal.

Ndonëse Djokovic ka dominuar tenisin e meshkujve në dy vitet e fundit, Nadal mbetet tenisti i dytë më i suksesshëm në aktivitet, pas Roger Federer.

Spanjolli ka fituar të paktën një herë secilin turne të madh (Grand Slaem), me 11 suksese në total, përfshi edhe katër suksese me kombëtaren në Kupën Davis.

Djokovic ka fituar shtatë Grand Slaem, ndërsa Federer, tenisti më i suksesshëm i të gjitha kohërave, 17 të tillë.

Top Channel