Rindërtohet portreti i Rikardit të III

06/02/2013 01:45

Si mund të ngjante Mbreti Rikard i Tretë? Në sajë të teknologjisë, asgjë s’është e pamundur.

Një skaner tridimensional krijoi portretin, ndërsa me ndihmën e një kompjuteri iu shtuan pjesët e tjera, muskujt dhe lëkura. Disa penelë ndihmuan për t’i dhënë pamjen përfundimtare këtij modeli plastik.

Historiani Xhon Eshdaun Hill, një nga njohësit më të mirë të Mbretërisë së Rikardit të Tretë, tha se rindërtimi i portretit ngjan shumë me pikturat e sovranit, të cilit William Shakespear i dedikoi një kryevepër teatrore, ku e përshkruante mizor dhe të pashpirt.

Universiteti i Lejsterit konfirmoi të hënën, pas analizave të ADN-së, se pjesët e skeletit të gjetur në shtator i përkasin djalit të 11-të të Dukës së Jorkut, të cilit i atribuohet vrasja e Enrikut të VI, gruas së tij dhe të vëllait, Xhorxh.

ADN-ja u mor nga Majkëll Ibsen, marangozi i lindur në Kanada, një prej pasardhësve të drejtpërdrejtë të Anës së Jorkut, motrës së Rikardit të Tretë. Rikardi u vra në Betejën e Bosuorthit në vitin 1485, në moshën 32-vjeçare, dhe vetëm pas dy vjetësh në fron u sfidua nga Henri Tudor, ai që do të njihej në të ardhmen si Henri i VII-të.

Varri i Rikardit të Tretë konsiderohej i humbur, pas shkatërrimit të kishës në shekullin e 16-të. Skeleti i zbuluar kishte shenja plagësh, që ai i kishte marrë në betejë; një shpatë e kishte goditur atë në kokë, ndërsa një shigjetë me majë metalike i ishte futur në pjesën e prapme të shtyllës kurrizore, që ai e kishte të deformuar nga një skoliozë.

Është edhe kjo, një nga arsyet pse ai është përshkruar si mishërimi i djallit; fizikisht dhe emocionalisht.

Top Channel