Andrea Stefani – Padyshim që janë shumë shqiptarët që e kanë parë
skenën. Sepse është transmetuar nga emisioni “Fiks Fare”. Gazetarja e
“Fiksit”, e ndjekur nga kameramani, përpiqej të intervistonte disa
mësues të një fshati të Librazhdit.
Në fakt, halli ishte i mësuesve. Ata kishin muaj pa marrë nga qeveria kompensimin financiar për transportin. Por doli se mësuesit kishin dhe një tjetër hall. Që ishte se kishin frikë të flisnin për hallin e tyre. Gazetarja përpiqej t’u merrte një prononcim, por mësueset, sikur të akuzuarit për një krim ndërsa dalin nga gjykata, tërhuzeshin, nxitonin hapat, ulnin kokën për t’ju shmangur kamerës. Madje njëra prej tyre, ndërsa hynte me nxitimthi në furgonin e linjës, ju lut gazetares: Të lutem mos ma nxirr kokën!
***
U bënë mbi dy dekada që ka rënë regjimi i frikës, diktatura komuniste. Por si për paradoks, konstatojmë se frika nga qeveria nuk është çrrënjosur nga zemrat e shqiptarëve. Madje ajo po shtohet sa më shumë kohë kalon. Në vitin 2010, “Gallup” publikoi një test të opinionit publik për vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Njëra ndër pyetjet drejtuar të anketuarve ishte: A ka në vendin tuaj njerëz që kanë frikë të shprehin hapur pikëpamjet e tyre politike? Dhe nga testimet e bëra për disa vite rresht (nga viti 2006 kur Sali Berisha sapo kish hipur në pushtet e deri në vitin 2010) rezultonte se ndërsa ishte rritur përqindja e atyre që mendonin se shumica apo shumë kanë frikë, qe reduktuar ndjeshëm kategoria e njerëzve që mendonte se askush nuk ka frikë të shprehë lirisht pikëpamjen e tij politike. Dhe kjo ndodhte në një kohë kur propaganda e PD mburrej për përparimet në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Më afër Europës dhe më shumë frikë në zemrat e shqiptarëve?! Sot konstatojmë se njerëzit kanë frikë të shprehen hapur jo vetëm për çështje politike por edhe për çështje që kanë të bëjnë me të drejta elementare të tyre, sikundër ky i pagesës së një subvencioni për transportin e mësuesve që, në fund të fundit, është një detyrim publik i qeverisë.
***
Në një demokraci liberale, heshtja është pranim. Në një pseudodemokraci ajo është rrjedhojë e frikës sikundër edhe në diktaturë. Por mund të komentohet si pranim. Prandaj, në këtë rast, të heshtësh do të thotë të gënjesh. Përse edhe 20 vjet pas përmbysjes së një sistemi që i ndëshkonte me plumb dhe burg pikëpamjet e kundërta me regjimin, shqiptarët vazhdojnë të heshtin? Në demokraci kush hesht, pranon. Mos vallë mësuesit janë dakord të mos paguhen nga qeveria për shpenzimet e udhëtimit në distanca relativisht të largëta? Kuptohet që nuk është fare kështu. Por ata kanë frikë se ngritja e zërit mund të shkaktojë zemërimin e qeverisë. Dhe qeveria fillon me drejtorin e shkollës që mund të jetë fanatik i pushtetit, me drejtorinë e arsimit rajonal, apo deri në ministri e më lart në qeveri. Por cili mund të jetë ndëshkimi për një mësues a një nëpunës publik që guxon të thotë diçka të pakëndshme për veshët e qeverisë paçka se shkak mund të jetë vetë paaftësia e qeverisë? Një gjë nga më të rëndat për këdo, aq më tepër kur jeton në një vend me papunësi e varfëri katastrofike si në Shqipëri: Largimi nga vendi i punës! Qeveria e ka gjetur armën e tmerrshme që terrorizon kurajën për të shqiptuar të vërtetën në kohën e demokracisë. Flakja nga puna, humbja e rrogës së vogël që është buka e fëmijëve ka zënë vendin e plumbit, burgut apo internimit të dikurshëm në diktaturë. Ka ndryshuar vetë mënyra e reprezaljes së pushtetit mbi shqiptarin, por nuk është zhdukur reprezalja e pushtetit. Prandaj dhe frika nga pushteti vazhdon të jetë kaq prezente. Dhe aty ku ka frikë, nuk ka liri.
***
Frika e manifestuar nga mësuesit e provincës para kamerave të “Fiksit”, është ilustrim i një dukurie mjaft të përhapur në Shqipëri. Dhe frika rritet thuajse në progresion gjeometrik me rritjen e numrit të punonjësve publikë të flakur nga puna. Ata janë me mijëra. Si bëhet e mundur të realizohet, përgjithësisht pa zhurmë e bujë, kjo shëmti e pushtetit, ky dhunim masiv i të drejtave dhe lirive të njeriut, kjo arrogancë shpesh e lidhur jo vetëm me shpërblime militantësh kokëboshë por edhe me korrupsionin e tregtimit të posteve dhe punëve? Përgjigjja është e thjeshtë: Me anë të gjymtimit të pavarësisë dhe korruptimin e gjyqësorit. Asnjë qeveri nuk do të guxonte të dhunonte të drejtën e një shtetasi për të mbajtur një vend pune në sektorin publik, nëse nëpunësi publik do të ishte i mbrojtur nga ligji, dhe ligji i mbrojtur nga drejtësia pra, nga gjykatësi. Në Shqipëri nuk ekziston një mburojë e tillë për shtetasin. Madje arroganca e qeverisë është aq mospërfillëse ndaj ligjit, aq mbiligjore, sa edhe kur janë dhënë vendime gjykatash në favor të punonjësve të përzënë padrejtësisht, shumë prej tyre nuk janë kthyer dot më në vendin e tyre të punës. Vullneti i atyre që i kanë flakur nga puna ka triumfuar mbi drejtësinë me forcën e një pushteti diktatorial. Sepse çdo gjë e realizuar mbi të drejtën që të jep ligji, është diktatoriale. Dhe të mendosh se sot po bëhet zhurmë e madhe, ndër të tjera, edhe për një ligj të administratës publike që sapo të miratohet, do na e çoka si me magji Shqipërinë më pranë Europës, duke e bërë të denjë për statusin kandidat. Një zhurmë që e bën pikërisht një qeveri që shquhet për dhunimin apo mospërfilljen e ligjeve, një qeveri që praktikon një pushtet mbiligjor. Dhe është pikërisht për këtë shkak, që shqiptari dridhet para qeverisë “demokratike”, hesht, fsheh kokën, mbyllet në shtëpinë e vet si kërmilli në guaskë, që viktimë e zemërimit të saj të mos jetë ai, por dikush tjetër, kolegu, bashkatdhetari, fqinji. Veç harron se aty ku nuk ka drejtësi, është padrejtësia që vonon po nuk harron!
Top Channel