Miqësorja Shqipëri-Gjeorgji

06/02/2013 11:30

Sot në orën 19:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, do të zhvillohet ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, një përballje e vlefshme për trajnerin tonë De Biazi për të testuar një grup tjetër lojtarësh.

Mungesat në disa reparte si Meha, Kukeli, Dallku apo afrimi i lojtarëve të kampionatit shqiptar si Lika, Muzaka, Dushku dhe Vucaj, tregojnë një tjetër provë force për 35 lojtarët që ka në listën e tij trajneri italian nga ndeshja e parë deri tek kjo që është e dhjeta në drejtimin e Shqipërisë.

Pas seancës stërvitore të ditës së djeshme, që ishte e para me grupin e plotë të lojtarëve, trajneri De Biazi mund të aktivizojë këtë formacion për ndeshjen e mbrëmjes së sotme. Në portë vazhdon të qëndrojë Berisha, më i avantazhuar se Ujkani, i cili ende nuk e ka gjetur formën e tij më të mirë, për të kaluar tek një mbrojtje me 4 lojtarë: Lila nga e djathta, në qendër Osmani dhe Curri, ndërsa majtas Agolli.

Në qendër të mesfushës do të jenë Bulku dhe Cana dhe në krahë dy lojtarë të shpejtë si Roshi dhe Vila. Trajneri duket se do të përpiqet të shfrytëzojë shpejtësinë e tyre jo vetëm për të shtyrë përpara, por edhe për të ndihmuar repartin e mbrojtjes.

Sa i përket sulmit mendohet të jetë dyshja Bogdani dhe Bakaj. Një formacion eksperimental që kur e sheh në pamje të parë, por që shpresojmë të japë rezultatet që pret trajneri.

Bilancet tona me Gjeorgjinë nuk janë apask pozitive. Jemi përballur gjithsej 12 herë dhe nga këto ne kemi 3 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje.

Si gjithmonë, edhe këtë ndeshje do të kenë mundësi ta ndjekin të gjithë drejtpërdrejtë në paketën Supersport të pltaformës Digitalb.

Top Channel