Shoqëria civile  ka dorëzuar në Komisionin e Mjedisit dhe Veprimtarive Prodhuese një propozim për nismë ligjore me qëllim frenimin e shkatërrimit të pyjeve, florës dhe mbrojtjen e Parkut të Liqenit të Tiranës.

Sazan Guri, ambientalist: Të mos ketë më ndërtime në liqen, brenda, anash, jashtë. Që do të thotë që ky liqen sot meriton statusin e zonës së mbrojtur të kategorisë së katërt, moratorium për pyjet për pesë vjet, për drurët e prerë për eksport. Duhet patjetër që për 5 vjet të marrim frymë, të dijmë sa pemë kemi, sa po presim dhe sa hektarë pyje kemi. Akoma vazhdon shifra në Ministrinë e Mjedisit 1.1 milion hektarë, shifër e vitit 1989, ndërkohë që unë vë bast që janë apo s’janë 200 mijë hektarë pyll, ku nga këto janë pyje të bërë vetë, pyje të krijuara nga nëna natyrë jo nga njeriu. Ndaj të marrim frymë 5 vjet dhe të shohim do presim për picat e Italisë apo për guroren e Greqisë. Dhe e treta, moratorium sërish 5 vjet për gjuetinë që do të thotë që gjuetarët italianë që vijnë për 20 euro, të ndalohen rreptësisht.

Mentor Kikia, Shoqëria Civile: Të theksohen të gjitha elementët drusorë që ndalohen të eksportohen,. Ajo që ne kemi kërkuar nuk është moratorium për prerjen, sepse pyjet duhen prerë edhe për të rigjeneruar, por nuk do të vdesim nëse kontrabandistët nuk do të arrijnë të eskportojnë cdo vit qindra hektarë pyje cdo vit nga Shqipëria. Por vec kësaj, të përfshihen edhe qymyret sepse është një mall që kalon kontrabandë dhe për shkak të këtij qymyri po shkatërrohen parqe kombëtare, po digjen në mënyrë barbare.

Deputeti Eduard Shalsi tha se opozita është e gatshme të mbështesë dhe votojë një nismë të tillë e madje ajo ka gati një projekt-ligj me këto kërkesa të cilat do t’i zbatojë sapo të vijë në qeveri.

“Atë që ju e quani moratorium ne si Parti Socialiste kemi gati një ndalim të eksportit, pasi jemi konsultuar me ekspertë juristë, kemi arritur në një konkluzion, që eksporti i lëndës drusore duhet ndaluar menjëherë”, tha deputeti Shalsi.

Kryetari i Komisionit, Jemin Gjana tha se për shumë nga këto pika ka vend për diskutim dhe është e nevojshme të shikohen hap pas hapi.

“Në qoftë se arrijmë në konkluzionin se djegiet janë të paramenduara që të shndërrohen në dru të djegur për qymyr, atëherë ka vend për të menduar për të shkuar atje me mënyrën se si mund t’i ndalojmë. Një nga një nuk kapen, por të shkojmë tek grumbulluesit e të penalizojmë ata”, tha zoti Gjana.

Në Shqipëri janë djegur qëllimisht dhe prerë mijëra hektarë pyje, duke shkatërruar edhe zona të mbrojtura si Parku i Lurës dhe të tjera parqe kombëtare.

Shoqëria Civile kërkoi ndalimin e eksportit të lëndës drusore dhe lejimin e prerjes së saj vetëm për nevojat e industrisë vendase.

Top Channel