Fishekët hiqen nga ushqimoret pas denoncimit të Fiksit

06/02/2013 00:00

Fiks Fare i është rikthyer sërish investigimit të shitjes së municioneve të armëve të gjahut në kundërshtim me ligjin. Disa ditë më parë Fiksi tregoi se si këta fishekë shiteshin në dyqane ushqimore në zonën e Velipojës, Trushit, Bërdicës, në tregun e  Milotit dhe atë të Fushë Krujës.

Pas këtij denoncimi komisariati i  policisë së Krujës ka filluar kontrollet dhe ka ndaluar dhe ka çuar për proçedim penal dy persona për tregtimin e municioneve  të armëve të gjahut në mënyrë të jashtëligjshme.

Fiks Fare është rikthyer sërish në këto dyqane të cilat deri pak ditë më parë tregtonin bashkë me bukën edhe fishekët për armët e gjahut. Në të gjitha dyqanet, në Velipojë, Trush dhe Bërdicë, ku një javë më parë gazetarët e Fiks Fare gjetën fishekë, shitësit ngrinin supet kur i pyesje për municion armësh gjahu. Madje disa prej tyre pranonin se pas publikimit në Fiks Fare të këtyre fakteve nuk shiten më fishekë.

Por gazetarët e Fiks Fare kanë gjetur në mes të qytetit të Shkodrës, në tregun e këtij qyteti, në mes të tezgave, fishekë të kalibrave të ndryshëm. Gjatë bisedës me gazetarët shitësi ambulant pranon se shitja e këtyre fishekëve është e paligjshme. Ai tregon se kanë kohë që shesin në këtë mënyrë këto municione edhe pse policia është në dijeni të kësaj tregtie dhe nuk i ndalon.

Tregtari gjatë bisedës tregon se ka frikë se mos e kap kamera e Fiks Fare duke shitur, pasi edhe punonjësit e Bashkisë edhe ata të policisë nuk i ndalojnë.

Investigimi i Fiks Fare ka vazhdaur në qytetin e Lezhës, ku në një dyqan armësh gjahu gjetëm përsëri fishekë. Gazetarët e paraqitur si gjuetarë kanë kërkuar fishekë të kalibrave të ndryshëm. Shitësja në këtë dyqan është treguar e gatshme për të ofruar të gjitha llojet e fishekëve, pa u merakosur për të kërkuar lejen e mbajtjes së armës nga blerësit.

Gjatë bisedës  gazetarët kanë kërkuar fishekë të fuqishëm, të cilët mund të përdoren edhe për njerëzit. Shitësja u ka sugjeruar një lloj plumbi që sipas saj ishte i fuqishëm dhe që bënte edhe për njerëzit, edhe për derrat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta