Moratti: Kam besim tek Stramaccioni

05/02/2013 16:10

Të mundur në Siena nga ekipi i fundit në renditje, të kaluar në klasifikim nga Milani që dukej i mbaruar në fillim të kampionatit (edhe pse vetëm falë golavarazhit) dhe të tronditur nga dygolëshi i Balotelli-t me fanellën kuqezi, për interistët kjo është një periudhë shumë e keqe, por presidenti i zikaltërve, Massimo Moratti, nuk i ka humbur shpresat dhe thekson se ka besim tek trajneri Andrea Stramaccioni.

“Kam folur me të dhe kam besim tek puna e tij, por duhet kujdes dhe shumë punë për të dalë nga kjo situatë”, theksoi presidenti i Interit.

Duke folur për humbjen e rëndë ndaj Sienës ditën e dielë, Moratti tha: “Ishte një ndeshje e shëmtuar nga ana jonë dhe futbollistët e pranuan këtë gjë. U vumë në vështirësi nga shpejtësia e kundërshtarëve dhe nuk mund të shtoj gjë tjetër sepse nuk jam trajner. Kovacic dhe Kuzmanovic debutuan mirë, ndërsa Schelotto jo sepse kishte një muaj që nuk zbriste në fushë.”

Në lidhje me dygolëshin e Balotelli-t, “tradhtarit” që tani luan dhe shënon për rivalët e Milanit, Moratti tha se “u ndihmua tek golat që shënoi”, duke iu referuar 11-metërshit që akordoi arbitri në fund të ndeshjes me Udinesesn.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta