Rruga që ka emrin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, është bërë objekt i një proçesi gjyqësor në gjykatën e Tiranës, me palë paditëse veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe Organizatës për Dëshmorët e Luftës.
Paditësit i kërkojnë gjykatës civile që të zhfuqizojë një akt adiministrativ të dhjetorit 2011 të Këshillit Bashkiak Tiranë dhe për pasojë këtij aksi t’i kthehet emri i mëparshëm “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
“Emri i rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” është vendosur nga komiteti ekzekutiv në 1945. Kjo rrugë përfaqëson 84 patriotë të vrarë në 4 shkurt 1944 dhe që janë dëshmorë të atdheut”, deklaron Dalan Buxheli, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ.
“Është një vendim haptazi i paligjshëm, në kundërshtim me të gjitha rregullat e normat ligjore, sepse prek direkt interesat e popullit të Tiranës që u janë vrarë djemtë në këtë luftë”, deklaron nga ana tjetër Odise Progri.
Ndërsa sipas avokatit Idajet Beqiri, që përfaqëson këtë çështje në gjykatë, emërtimi i mëparshëm i kësaj rruge është bërë në nder të dëshmorëve dhe zhvendosja e titujve të tillë që kanë lidhje me dëshmorët e atdheut bëhet kur e kërkojnë interesat e larta shtetërore me vendim të këshillit të qarkut.
“Nëse duhet t’i ndërrosh emrin rrugës duhet të shfuqizohet vendimi i këshillit të atëhershëm. Këshilli Bashkiak aktual nuk e ka bërë këtë dhe nuk ka të drejtë të bëjë riemërtime”, thotë Beqiri. Kjo çështje e rrallë po shqyrtohet nga gjyqtari civil Agron Zhukri.
Top Channel