Pastiçeria italiane e nivelit të lartë, këtë vit, ka si përfaqësuesin më të vlerësuar të saj një të ri shqiptar.
Është Mario Peqini, i cili, megjithëse është vetëm 25 vjeç, sipas guidës “Identità Golose”, që vlerëson restorantet më të mira në Itali dhe në botë, ka arritur majat më të larta.
Me origjinë nga Durrësi, Mario ka ardhur në Itali në moshën 13-vjeçare, ku jeton me familjen. Pas diplomimit si kuzhinier teknolog, ai nuk ka ndalur eksperimentimin në fushën e pastiçerisë.
Fitues i disa çmimeve të rëndësishëm, si ai për krijimin më të mirë të një recete me bazë ujin, pastiçeri shqiptar është vlerësuar për aftësinë e kombinimit të përbërësve të ëmbël dhe të kripur, për përdorimin plot fantazi të elementëve nga më të larmishmit.
Prej disa kohësh, ai është kryepastiçier në restorantin “Il luogo di Aimo e Nadia” në Milano, ku siç shkruan guida “arrin të krijojë ëmbëlsira në sintoni të plotë me pjatat, që ofron restoranti”.
Top Channel