Nënkryetarja e LSI, Klajda Gjosha, gjatë mbledhjes së forumit të gruas së kësaj partie, kërkoi që klasa politike të ulë tonin e konfliktualitetit dhe të bashkëpunojë për të votuar tre ligjet që mbajnë të bllokuar proçesin e integrimit.
“Patjetër që mesazhi ynë kryesor edhe si Lëvizje Socialiste për Integrim është edhe fakti që ne punojmë shumë për integrimin e vendit.
Kjo është edhe shtylla kryesore e platformës sonë, e cila sot përkon me një moment tepër të rëndësishëm pasi siç e dini sot në Shqipëri kemi nderin që vizitohemi nga z. Fyle të cilin me të vërtetë në emër të LSI-së e falënderoj për të gjithë mbështetjen dhe kujdesin që ai tregon ndaj politikës shqiptare.
Me rëndësi është fakti që ai sot vjen dhe e gjen Shqipërinë në një moment tepër të rëndësishëm të një konflikti politik i cili është krijuar dhe ka pushtuar vendin tonë.
Ndaj mesazhi më i mirë që ai mund t’i japë Shqipërisë është për t’i dhënë fund këtyre konflikteve politike për ta çuar Shqipërinë drejt zhvillimit të mëtejshëm, drejt integrimit të shoqërisë sonë në Bashkimin Europian.
Ky është edhe fokusi i punës sonë, është edhe fokusi i asaj se çfarë kërkojnë sot të gjithë shqiptarët dhe e gjitha shoqëria shqiptare. Është koha për të fituar këto dhjetëra vitet e fundit të humbura dhe për t’i dhënë vendit tonë kulturën, frymën dhe integrimin evropian”, deklaroi Gjosha.
Top Channel