Kur dritat e “Qemal Stafës” u fikën në mes të miqësores së luksit që Gramozi modest luajti kundër gjigandëve të Real Madrid, të gjithë menduam se gjëra të tilla ndodhin vetëm në Shqipëri, por nuk është aspak e vërtetë.
Në mes të ngjarjes më të madhe sportive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, finalja e futbollit amerikan e njohur me emrin Super Bowl, prozhektorët e Superdome në Nju Orlins u fikën për 36 minuta duke detyruar ndërprerjen e ndeshjes Baltimore Ravens-San Francisco 49ers.
Në këtë mënyrë, kjo festë e madhe sportive u njollos nga “ikja e dritave” që me shumë mundësi do të komentohet më shumë se rezultati i takimit dhe performanca e mrekullueshme e Beyonce në pushimin mes pjesëve.
Sa i përket aspektit sportiv, Ravens fituan ndaj 49ers me rezultatin 34-31 në një ndeshje emocionuese që u zgjidh vetëm në fund. Edhe pse Ravens dukej se do të fitonin lehtë pas avantazhit 21-6, problemi teknik me ndriçimin sikur i preu ritmin, ndërsa 49-ers përfituan për tu afruar dhe për të ëndërruar fitoren deri në minutën e fundit.
Ky është titulli i dytë për skuadrën nga Baltimora pas triumfit të vitit 2000. Joe Flacco, quarterback-u i ekipit, u shpall si MVP i finales.
Top Channel