Me vetëm gjashtë pikë në gjashtë ndeshjet e fundit, Interi është duke përjetuar një prej momenteve më të këqinj të sezonit, por Antonio Cassano mbetet besimplotë se skuadra do të rikthehet shumë shpejt në nivelin e saj të fillim sezonit, që i bëri zikaltërit të konsideroheshin si rivalë të Juventusit për titullin kampion.
“Po luajmë keq dhe ky është realiteti i vetëm i momentit. Siena e meritoi fitoren në ndeshjen e fundit. Tani duhet të nxjerrim në dukje të gjithë personalitetin tonë. Megjithatë, në këtë moment gazetat po e japin Interin si të mbaruar, por ne jemi vetëm tre pikë larg Champions League, në 16-she të Europa League dhe në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, prandaj ky sezon nuk është për t’u flakur tej”, deklaroi Cassano.
Sipas 31-vjeçarit, ky moment i keq nuk mund të zgjasë shumë. “Në merkato mbërritën 2-3 lojtarë me shumë cilësi, të cilët mund të na japin një dorë, por është fakt se ndaj Sienës luajtëm keq. E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është duke pranuar realitetin dhe duke u përkushtuar edhe më shumë. Megjithatë, është e sigurt që cilësia mbetet në këtë ekip dhe shumë shpejt të gjithë do të binden për këtë”.
Nuk mund të mungonte në fjalën e Cassanos edhe një “thumbim” për argumentin e momentit në Serinë A, mbërritjen e Mario Balotellit tek rivalët e Milanit.
“Ka një diferencë të madhe midis atij dhe meje. Mua nuk më pëlqen të dal në gazeta, atij po. Megjithatë, mua më kanë përjashtuar pesë skuadra, kam bërë shumë gabime, ndërsa Balotelli është një djalë i mirë”, shtoi Cassano, një herë kampion i Italisë në vitin 2011, në radhët e Milanit.
Top Channel