Seria A, Napoli fiton ndan kreun

03/02/2013 08:15

Nuk njeh pengesa Napoli në Serinë A dhe vazhdon të japë sinjale presioni ndaj Juventusit të vendit të parë, vend të cilin e ndan edhe skuadra e Mazarrit, të paktën momentalisht, pas fitores 2-0 ndaj Catanias.

Megjithatë, pavarësisht rezultatit, fitorja nuk ishte e lehtë për napolitanët.

Ishte Hamsik autori i golit të parë, i cili realizoi pasi gjeti të pavëmendshme mbrojtjen e kundërshtarëve.

Presioni i Napolit prodhoi një rast të mirë për Cavanin, i cili edhe pse nuk arriti të shënojë, lë gjurmë në këtë takim me goditjen e traversës, ndërkohë që Catania reagoi gjithashtu me disa raste të rrezikshme përpara portës, të pakonkretizuar si duhet nga sulmuesit siçilianë.

Tensioni i krijuar ç’orientoi mbrojtjen e skuadrës mike, ndërkohë që Cannavaro gjeti mundësinë për të shënuar edhe golin e dytë që vulosi fitoren brenda 45 minutave të para, ndërkohë që pjesa e dytë me gjithë rastet e krijuara nuk ndryshoi asgjë në rezultat.

Ndeshja tjetër e së shtunës, mes Torinos dhe Sampdorias përfundoi në barazim 0-0.

Top Channel