Balotelli, dy gola në debutimin me Milanin

03/02/2013 00:00

Mario Baloteli shënon 2 gola që në ndeshjen e parë me Milanin duke e ngjitur këtë skuadër në vendin e katërt në klasifikimin e Serisë A. Skuadra e Alegrit fitoi 2-1 ndaj Udinezes me një 11-metërsh të dyshimtë në minutat e fundit të ndeshjes.

Juventusi mundi 2-1 Kievon, në Verona, dhe rikthehet sërish e vetme në krye të Serisë A.

Skuadra e Kontes, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna për shkak të pezullimit, shënoi 2 gola në pjesën e parë, me Matrin dhe Lishtajner.

Goli i shpejtë i vendasve, në pjesën e dytë, nuk e rrezikoi për asnjë moment fitoren e Juves, e cila tashmë ndodhet në kuotën e 52 pikëve, 3 më shumë se Napoli i vendit të dytë.

Ndërkohë, Interi i Stramaçonit u mund 3-1 nga Siena, një humbje kjo, që i rrezikon atyre vendin e 4-t në klasifikim.

As blerjet e reja, të cilët u futën në fushë që nga minuta e parë, nuk arritën ta shpëtonin Interin, që bëri ndoshta ndeshjen më të keqe të këtij kampionati.

Në ndeshjet e tjera, Lacio dorëzohet përpara Xhenoas 3-2 në transfertë, Fiorentina triumfon në shtëpi ndaj Parmas 2-0, fitojnë edhe Bolonja e Atalanta jashtë fushave të tyre, respektivisht kundër Peskarës 2-3 dhe Palermos 1-2.

Top Channel