Roma dorëzohet ndaj Cagliarit 2-4

02/02/2013 00:30

Ndeshja e parë, për javën e 23 të Serisë A, përfundon me fitoren e Cagliari-t ndaj Roma-s 4-2, duke thelluar krizën e verdhekuqve, që koleksionojnë humbjen e tretë në 5 ndeshjet e fundit (dhe 2 barazime).

Në “Olimpico”, Nainggolan kalon në avantazh sardët (3’), para se Totti të barazojë (35’). Me fillimin e pjesës së dytë shënohet një autogol befasues nga Goicoechea (46’), duke i hapur rrugën miqve, që shënojnë edhe 2 herë të tjera me Sau (53’) dhe Pisano (71’). Nuk vlen asgjë goli i Marquinho-s në minutat shtesë (93’).

Zeman: “Përgjegjësia ime, s’besoj të shkarkohem”

Humbja e rëndë ndaj Cagliari-t rrezikon pankinën e Zeman. “Nuk e pres kurrë shkarkimin, por gjithçka mund të ndodhë – tha tekniku boem në fund të ndeshjes. – Nëse është për të mirën e Roma-s, do të jem i kënaqur… Askujt nuk i pëlqen kjo situatë. Nëse ky grup mendon se përgjegjësitë janë të miat, atëherë i marr përsipër. Ajo që ndodhi gjatë javës është mes meje dhe shoqërisë, nuk besoj të ketë ndikuar lojtarët”.

Fjalëve të trajnerit i është kundërpërgjigjur drejtori i përgjithshëm, Baldini: “Nuk e di, nëse do të fle i qetë këtë natë, pasi është një dhimbje e freskët. Tani nuk do të ndodhë asgjë, nesër do të takohem me pronarët dhe do të vlerësojmë gjithçka. Reflektimi nuk prej vetëm trajnerin, kemi një problem të përgjithshëm sjelljeje, që do të analizohet”.

Top Channel