Nisma e cila është lançuar nga Partia Socialiste prej dy vjetësh për një Rilindje të Sportit Shqiptar, është prezantuar këtë fundjavë edhe në Kuçovë.

Deputetë të selisë rozë në detajimin e projektit të PS për sportin, thanë se  kjo synonti bëjë të ditur të gjithë njerëzve, se si rrallëherë, sporti është bërë pjesë e programit politik të një partie.

Sipas Partisë Socialiste, përmes vendimeve politike do të bëhen privatizimet e klubeve, ndërkohë që është konceptuar edhe mënyra sesi do të afrohen bizneset dhe do të shtohen talentet.

Kjo do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Kosovën dhe pjesë e planeve është kampionati mbarëkombëtar, diçka të cilën PS e ka programuar prej dy vjetësh dhe që është risjellë në skenë nga kryeministri Berisha.

“PS ka marrë një vendim politik që e ka futur sportin në prioritetet e saj. Ky është një draft/program që është bërë nga ekspertë të sportit, për një rilindje të sportit shqiptar, që parashikon privatizimin e klubeve, afrimin e biznesit, bashkëpunimin me komunat dhe atë që kemi kërkuar prej dy vjetësh, bashkëpunimin me institucionet e Kosovës për të bërë kampionate të përbashkëta në ato sporte ku nuk na pengojnë ndërkombëtarët. Sepse sporti nuk bëhet me deklaratat e kryeministrit. Nëse duam të shkojmë drejt Europës, duhet që ratifikimet e bëra të respektohen dhe të merren si modele”, deklaroi deputeti Fidel Ylli.

Në konsulencën e bërë nga PS është bashkëpunuar me ekspertë të huaj, për të eliminuar barrierat burokratike që vijnë nga institucionet ndërkombëtare për nisma të tilla.

“Jemi treguar të vëmendshëm, kemi pyetur ekspertë të huaj për të thënë se ku nuk na pengon Evropa për të bërë liga të përbashkëta në mundje, xhudo, etj, sporte ku Kosova është e zhvilluar, me qëllim që të rrisim tregun, audiencën dhe bashkimi do të vijë natyrshëm”, vijoi deputeti socialist.

Draft/programi i Partisë Socialiste për sportin do të vazhdojë rrugëtimin dhe në qytete të tjera të vendit, si një nismë reale për të përmirësuar cilësinë, për të shtuar talentet dhe për të mos mbetur vetëm në kartolinat e premtimeve elektorale.

Top Channel