Rikthehet Kupa, Laçi siguron fitoren

02/02/2013 17:55

Pas një pushimi të gjatë futbolli shqiptar sot i është kthyer aktivitetit me Kupën e Shqipërisë. Siparin e ngriti ndeshja Laçi- Flamurtari, e vlefshme për serinë e katërt të turit çerekfinal.

Laçjanët e Stavri Nicës e kanë nisur mirë këtë pjesë të dytë, duke fituar 1-0 ndaj vlonjatëve të trajnerit Ernest Gjoka. Fati i takimit të sotëm të zhvilluar në Laç është vendosur nga goli i kroatit Stipe Buljan, i shënuar në minutën e 76-të të ndeshjes.

Laçjanët kanë treguar edhe një herë se janë një ekip me vazhdimësi në sezonet e fundit. Me këtë fitore ata shkojnë në kuotën e 6 pikëve, po aq sa edhe Flamurtari, ndërkohë që grupi B kryesohet nga Bylisi me pikë të plota, 9. Ndërsa Teuta mbetet e fundit në grup pa asnjë pikë.

Takimin e ndoqi edhe trajneri i kombëtares Xhani De Biazi, i cili, i akomoduar në tribunën e stadiumit të Laçit, ishte në shoqërinë e presidentit të FSHF-së, Armando Duka.

Top Channel