“Shtatzënia” e poshtërsisë së ardhme qeverisëse

01/02/2013 00:00

Aleksandër Çipa – Si do të bëhen pazaret e koalicioneve, ashtu do të gatuhet qeverisja.
Kjo mund të konstatohet prej shumëkujt në këto ditë, kur fushata
elektorale ka nisur dhe dy forcat kryesore po përgatisin në kuzhinat
elektorale të tyre skemat e vjetra të ndërtimit të koalicioneve të cilat
do të arkitekturohen jo mbi bazë përkatësie, jo mbi afri programesh, jo
mbi kritere të përputhshmërisë programore dhe sidomos jo mbi principe
të politikës së pastër.

Kjo mënyrë e projektuar dhe sidomos ky projektim pa përmbajtje, po rrezikon seriozisht demokracinë e përfaqësimit dhe demokracinë si cilësi dhe standard në vend.

Ka kohë dhe ndoshta vite që për kësi kriteresh nuk e vret më mendjen askush dhe madje për kësi vlerash kanë hequr dorë “nga monitorimi” edhe ambasadorët, edhe diplomatët, edhe misionet, edhe strukturat e diplomacisë së demokracisë euroatlantike.

Është e tepërt të flasësh, kur kryesuesit e rinj të institucioneve kushtetuese, të dala nga vota e shumicës aktuale parlamentare shprehen se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paraqitur raporte zyrtare për abuzimet në sektorë të ndryshëm të administratës publike, në sektorë të ndryshëm të qeverisjes që nga kabineti qeveritar deri te titullarë dhe zyrtarë të qeverisjeve vendore dhe… drejtësia po bën gjumë. Sikundër është e tepërt të komentosh, kur konstaton se zyrtarë të akuzuar dhe të përcjellë në disa shkallë gjykimi në gjyqësorin shqiptar, vërtiten të lirë dhe me sedrën për rikthime sërish në pozicione apo në detyra funksionale të administratës publike ose institucioneve shtetërore.

Por po kaq e tepërt është t’u drejtohesh aktorëve që pretendojnë kontributin për standarde në këtë situatë e në këtë vend, ndërkohë që në sektorë pafund të jetës institucionale dhe publike, në nivele të ndryshme të administratës ku gëlon nëpunësia partiake dhe ajo e falsifikimit arsimues, po bien kambana të pafundme shqetësimesh, por nuk ka asnjë ndalim. Ky denatyrim i cilësisë së administratës, po merr hov të ri elektoral në këto ditë dhe sipas të gjitha gjasave, kapitulli shtesë i denatyrimit të cilësisë dhe përfaqësimit profesional të nëpunësisë partiake do të pasojë me akte të tjera çmontuese, të cilat realisht jo vetëm e bëjnë edhe më të shëmtuar këtë administratë, por janë një akt i ri karikaturizimi në raport me partnerët dhe bashkëpunëtorët europianë në sektorë të shumtë.

Procesi i dearsimimit të nëpunësisë i bashkëshoqëruar me atë të dekulturimit dhe të injorancës administrative-profesionale, në vetvete janë plaga më e rëndë që ka prekur cilësinë e shtetësisë dhe të marrëdhënies që qytetari krijon me institucionalizmin. Partizimi është rikthyer si fenomen në jetën e përditshme të nëpunësisë publike si në kohë të zymta të viteve ‘87-‘89 të komunizmit. Është e turpshme për shoqërinë civile dhe për segmentet e mbetura jashtë politikës që nuk e sondazhojnë këtë çështje dhe këtë fenomen që po gjymton ndërgjegjen e shtresës së rëndësishme, atë të nëpunësisë së vendit. Dhe kjo nuk mund të lihet si mision apo akt ankimtar i opozitarizmit të majtë, pasi ky zë nuk e ndihmon çështjen e nuk i vlen ndalimit. Konflikti i interesit që ka opozita në këto ditë elektorale, nëse e bën pjesë të axhendës denoncuese të saj, e dëmton atë në mënyrën më fatale.

Diplomacia e SHBA-së dhe ajo e BE-së me gjithë përfaqësuesit dhe sidomos institucionet e tyre, do të dilte nga paragjykimet dhe përflitjet akuzuese, deri edhe prej opinionistëve të ndryshëm në mediumet shqiptare, nëse nuk ndërhynin në kësi momentesh për ta ndalur këtë rrjedhë depolitizimi dhe partizimi të administratës dhe nëpunësisë publike. Fushata peticioniste të ndërmarra nga struktura të bindura nëpunësie, si nga shumica e kryesuar nga kryeministri Berisha, ashtu edhe në rastet kur iniciohen dukshëm e padukshëm prej opozitës së majtë, nuk janë vlerë apo e drejtë demokracie, por janë shërbesa që zvogëlojnë ndërgjegjen e pastër dhe e vënë atë në shërbime socreale të partitizmit alla shqiptar.

Mediat dhe segmentet e kësaj shoqërie civile të rënë në pabëzajtje, do të ishin në lartësinë e misionit dhe shërbesës së tyre nëse denonconin imponimin me “kafshatën e ditës” të nënshkrimit të peticionit antiopozitë për tri ligjet, prej shumicës së pedagogëve në universitetet publike dhe fatkeqësisht edhe në ato private. Është ky një akt i shëmtuar postkomunist, i përngjashëm me ato në komunizëm. Një përkulje dhe nënshtrim cinik prej dhunës verbale dhe imponimit që injorantë administratorë të universiteteve jopublike u bëjnë emrave të jetës dhe veprimtarisë akademike dhe universitare në vend. Një turp që nuk vlen të krahasohet, sikundër që nuk mund të zhbëhet nëse mendojmë se jetojmë në vitin 2013.

Por ky indikacion nuk është më i rëndi. Ka shumë e shumë më tepër. Ndërsa po udhëtojmë drejt 23 qershorit për zgjedhje dhe përfaqësim të ri, kjo politikë vjetërake dhe më cene të përhershme të kancerit-vjedhës, po riciklon nëpër zona dhe qytete periferike të vendit historiza metiste të trafikimit të të zgjedhurve. Mjerë ky vend për këtë demokraci dhe cilësi përfaqësimi! Kjo skemë tribale, e një mendësie hajdute, po e kënetëzon edhe të nesërmen, por fatkeqësisht edhe më shumë, edhe të pasnesërmen e vendit. I bukur investim për dijeninë e ardhme të brezave tanë, nga këneta jonë e sotme politike!

Kjo gjendje dhe ky protagonizëm kënetor, po ia del të konsumojë ditët e fushatës elektorale të vendit. Janë vetëm pesë muaj për të ndjekur apo pësuar garën elektorale të kampeve dhe askush prej partive nuk ka hedhur në treg paketën apo draftin e projekteve të saj për një qeverisje të re, për një qeveri të re me vizion për krizën që po rrokulliset si dallgë oqeanike mbi ekonominë dhe jetën sociale të vendit. Në mënyrë tmerruese, këtë mision shpëtues nuk po dëshmon energji, ta mbartë e përfaqësojë, as opozita. Ajo ndoshta e ka, por aktorët dhe udhëheqësia e saj, janë ende në ligësinë e marrëdhënieve me veten. Vështirë se në këto pesë muaj e kapërcejnë ylberin e vetes, për veten, duke flërtuar keqësisht dhe tinëzisht me cenet e tyre dhe skenarët e të tjerëve.

Kjo lojë elektorale, nuk ka shanse të shndërrohet në një betejë konkurrimi elektoral. Ditët e ardhme po identifikohen si kontur i një konflikti dhe sherrnaje të vjetër tranzicioni. Janë po ata protagonistë që po lëvizin nëpër këtë fushë mediokre për të improvizuar skemat e poshtërsisë së ardhme qeverisëse. Këto zgjedhje që po afrojnë, së paku deri tani, duket se janë premtuese vetëm për këtë “shtatzëni” të së keqes që riciklohet.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA