Një hotel 5-katësh në qytetin e Sarandës është sekuestruar me urdhër të
Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se pronari i saj e ka
ngritur me paratë e vjedhura në Gjermani. K. Dervishi akuzohet nga
prokuroria e Mynihut se në bashkëpunim me persona të tjerë ka vjedhur
një shumë prej 3.1 milionë eurosh dhe me këto para ka investuar në
Sarandë.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se gjykata, me kërkesë të akuzës, ka vendosur sekuestro konservative për hotelin 5-katësh në plazhin “Pllakat” të Sarandës, pronë e shtetasit shqiptar K. Dervishi, i dyshuar nga autoritetet e shtetit gjerman si i përfshirë në veprimtarinë kriminale të vjedhjes në vlerë rreth 3.1 milionë euro.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda, në zbatim të kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve gjermane të drejtësisë, përkatësisht të Prokurorisë së Mynihut, ka ofruar mbështetjen në hetim, si dhe ka kryer veprime procedurale në prani të ekspertëve të huaj. Në objektin e kërkesës së letërporosisë kërkohej konfiskimi i aseteve si dhe ushtrimi i kontrollit dhe sekuestrimit të sendeve në kuadër të procesit hetimor kundër shtetasit K. Dervishi”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas saj, nga studimi i akteve ka rezultuar se Prokuroria e Mynihut në Gjermani është duke kryer hetime lidhur me shtetasin shqiptarë K. Dervishi, lindur dhe banues në Sarandë si dhe për disa shtetas të tjerë shqiptarë dhe gjermanë, si të dyshuar se kanë kryer veprat penale të vjedhjes së pasurisë më shumë se një herë dhe në përmasa të mëdha në kuadër të një bande kriminale. Personi nën hetim së bashku me disa persona të tjerë janë bashkuar për të kryer një seri veprash penale të vjedhjes me thyerje. Gjatë kontrollit në këtë hotel janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, dokumentacione të ndryshme, telefona celularë, pasaporta të falsifikuara, një kamerë, municione luftarake, celularë, karta telefonash, etj.
Top Channel