Projekti pilot, numërimi elektronik nga INDRA

01/02/2013 22:25

Një kompani spanjolle me emrin INDRA ka shumë gjasa të jetë kompania, që do të ofrojë shërbimin e numërimit elektronik të votave, në qarkun e Fierit.

Lajmi u bë i njohur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili njoftoi se, pas vlerësimit të ofertave nga 4 kompani të huaja, INDRA është përzgjedhur për të vazhduar me fazën e mëtejshme të negociatave.

Sipas KQZ-së, komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka nisur negociatat në termat financiare dhe teknike, të ofertës së paraqitur nga kjo kompani.

Në faqen e saj zyrtare, INDRA përkufizohet si kompani lider në proçeset elektorale, duke qenë pjesëmarrëse në më shumë se 350 proçese zgjedhore në vende të ndryshme të botës, përfshi Spanjën, Shtetet e Bashkuara, Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegjinë.

Numërimi elektronik i votave në Qarkun e Fierit është një projekt pilot, që pritet të zbatohet për herë të parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare, në qarkun e dytë më të madh të vendit.

Ndërkohë, për Qarkun e parë më të madh, Tiranën, Kodi Zgjedhor përcakton si projekt pilot Sistemin Elektronik të Verifikimit të Votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur procedurën për realizimin e këtij projekti dhe deri tani kanë paraqitur ofertat e tyre teknike 5 kompani, ku kompania e vetme e huaj është spanjollja INDRA, ndërsa të tjerat janë kompani vendase, ku një prej tyre është bashkuar me kompaninë franceze ALEAT, që prodhon kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA