Arben Manaj – Zhvirgjërimi i ndershmërisë së zgjedhjeve të ardhshme
shqiptare tashmë s’ka nevojë për çarçaf, pasi s’ka më vend çarçafi për
të mbajtur ndotjen e tyre. Të mendoje se nuk do të ndodhte kështu, do
ishte konfirmim i naivitetit politik.
Arsyet janë madhore dhe ato justifikojnë çmenduritë me dëme të pallogaritshme për shanset e mëtutjeshme integruese të vendit.
E paimagjinueshmja është e justifikueshme nga të dyja palët e këtyre zgjedhjeve. E paimagjinueshme është humbja e pritshme e qeverisë dhe “aksionerëve” të pushtetit të saj.
Në rrezik janë shumë avenire dhe investime politike, financiare dhe fate njerëzore, për shkak të frymës së korrigjimit dhe ndëshkimit ligjor të korrupsionit të vënë re në këto tetë vjet të qeverisjeve të drejtuara nga demokratët. Kjo të paktën është motoja dhe deviza e opozitës.
Andaj është e “justifikueshme” sado perverse të duket nga këndvështrimi i pushtetmbajtëseve, paimagjinueshmëria e prishjes së zgjedhjeve dhe çdo marifetllëk për të mbajtur me çdo kusht dhe dhëmbë në gojë pushtetin në rastin më të mirë dhe litarin jashtë dhe minimin e gëzimit të fitores së opozitës në rastin më të keq, për t’iu shmangur ndëshkimit të pritshëm.
Berisha tashmë ka filluar pa iu “prishur gjiza” për ndjeshmëritë e vendorëve dhe ndërkombëtarëve të manipulojë zgjedhjet dhe ky është vetëm fillimi. Ngjeshja e listave, mandatet, arroganca e KQZ-së së Lleshit, janë disa nga shenjat e para konkrete, se ai e ka të vështirë të pranojë të mos thyejë rekordin e Enverit për pushtetmbajtje.
Nga pikëpamja dhe interesi i tij dhe klanit politik dhe financiar që e mbështet, ai e justifikon të paimagjinueshmen, prishjen e zgjedhjeve, duke pasur sigurinë se çdo rezultat do të ngushtohet deri në parrezikshmëri ligjore për të dhe ata që i ka nën komandë.
Ka një argument të logjikshëm se Berisha është duke prishur zgjedhjet që në metrat e para, për ta shtyrë opozitën drejt bojkotit. Dhe kjo është ajo që e quaj të paimagjinueshme, këtë herë për opozitën, pikërisht bojkotin ose majin e 1996-s.
Padyshim që Berisha vetëm budalla politik nuk është kur bën provokime të tilla. Por Berisha në të njëjtën kohë kërkon edhe të ngulisë një frikë dhe pezmatim në radhët e atyre që bëjnë diferencën dhe tek të lëkundurit dhe ende të pavendosurit, se ai mund t’i bëjë zbor kësaj opozite dhe mund t’ia vjedhë zgjedhjet sa herë të ketë qejf.
Dhe kjo është një luftë mjaft e fortë psikologjike dhe e mirëllogaritur.
Fatkeqësisht opozita e sotme shqiptare e ka mbi shpatulla këtë paragjykim, sado i vërtetë që ai të jetë, se Berisha ka mundur t’ia vjedhë në tavolinë, apo t’ia marrë kafshatën nga goja kësaj opozite, siç ndodhi me zgjedhjet lokale.
Dhe siç shihet edhe në opinionin publik ende funksionon ky opinion dhe jo të pakët janë njerëzit që mendojnë se çfarëdo që të bëjmë ne, sado të motivuar për të shkuar në votime kundër Berishës, ai sërish do t’i vjedhë zgjedhjet dhe do të fitojë.
Këtë mbartës të letargjisë elektorale synon Berisha ndër të tjera me manovrat e tij të reja parazgjedhore, të cilët do të jenë faktori determinues në bërjen e diferencës më 23 qershor.
Ndërkohë, opozita, qofsha gabim, por sërish duket se ka një besim prej dafine se zgjedhjet do të flasin për të, pasi njerëzve u ka shkuar aty ku nuk mban më, dhe duan të shohin kurrizin e kësaj qeverisje.
Ajo që dua të them është se nuk shoh nga opozita ndonjë reagim të fuqishëm dhe adekuat për këto manovra elektorale të identifikuara për t’i frenuar ato. Nuk shoh një kundërpërgjigje të fortë dhe sensibilizim që të demonstrojë edhe psikologjikisht se kësaj here Berishës nuk do t’i japim luksin të imagjinojë të manipulojë, e jo më të fillojë t’i aplikojë manipulimet.
Dhe me sa ka ndodhur deri më tani, në lojën për epërsi duket se Berisha, përmes lëvizjesh fine ligjore po e çon ujin sërish në hullinë e tij të dëshiruar.
Në këto zgjedhje do luhet me mandate sa gishtat e njërës dorë dhe kjo është e dukshme. Opozita shumë mirë bën që shpall programe të saj, alternativa qeverisëse dhe këto janë më se të domosdoshme dhe të pritshme në luftën për mendjet dhe zemrat e votuesve të pavendosur, por fatkeqësisht historia e Shqipërisë postkomuniste, tregon se elektorati shqiptar nuk mallëngjehet shumë nga alternativat sado perfekte, të bukura dhe të frymëzuara të jenë ato, apo në invers nga blloqet në dorë dhe korrupsioni në audio dhe video.
Masat e kalcifikuara në elektoratet respektive, të më ndjejë lexuesi për krahasimin, sikur edhe tërë kafshët e kopshtit zoologjik të Tiranës të vënë për deputetë partitë e mëdha, do votojnë partizançe për siglën e tyre.
Problemi është te një pakicë decizive që të mund të intrigohet dhe të shkojë të votojë, pasi të shohë dhe të ketë besim se nuk do t’i shkojë mundimi dhe angaria e hedhjes së votës dëm.
Në të kundërtën, në qershor, dhe në fundjavë, shqiptarët sërish bëjnë plazh, edhe pse kësaj here dimri politik dhe financiar duket se do jetë i acartë.
Opozita shqiptare normalisht nuk duhet ta ketë të paimagjinueshmen dhe me të nënkuptoj bojkotin e zgjedhjeve, nëse punët shkojnë aq për dreq, si opsion, por kjo nuk do të thotë se nuk do duhet edhe ta ketë rezervë dhe ta mendojë madje seriozisht.
Por që ta justifikojë këtë armë të fundit, të padëshiruar dhe të paimagjinueshme, do të duhet të punojë ta justifikojë atë përmes fakteve dhe luftës së saj për të mos lëshuar pe, që Berisha në panik të trimërojë falangat e tij nëpër institucione dhe nëpër rrugë, që të shtyhen drejt së paimagjinueshmes së tyre, që do të ta pasohet nga një e paimagjinueshme tjetër.
Për më tepër, opozita nuk duhet t’i varë shpresat tek reagimi ndërkombëtar i “Baba Mondit të OSBE-së” apo ndonjë heqje xhakete, por duhet të heqë xhaketën e vet e t’i përveshë mëngët në mbrojtje të votës dhe shpresës së shqiptarëve për një rotacion normal demokratik, nëse shqiptarët me votë të pastër e dëshirojnë.
Top Channel