Balotelli: Tek Milani rikthehem i madh

30/01/2013 19:20

Mario Balotelli është i sigurt se tek Milani do të hedhë një hap më shumë në karrierën e tij dhe se do të ngjitet në nivelin e pritshmërive që të gjithë milanistët shpresojnë që ai të arrijë.

Në një deklaratë përpara prezantimit zyrtar, në mbërritjen rreth orës 17:00 në aeroportin e “Linates”, në Milano, ai tha: “Prej kohësh i kam dashur që të luaj me Milanin dhe e dija që kjo do të realizohej që në fillim të merkatos. Kur u shfaq mundësia, e kapa në ajër. Kam bërë një zgjedhje të rëndësishme dhe jam shumë i lumtur për këtë. Nuk ka qenë një sezon shumë i mirë për mua deri tani tek Manchester City, por tek Milani do të rikthehem në nivelin tim më të mirë”.

Për sulmuesin, i cili do të prezantohet në orët në vazhdim me fanelën numër 45, një numër i madh tifozësh dhe gazetarësh në pritje, të cilët e pritën me brohorima dhe kore.

I përfshirë nga entuziasmi u deklarua në shtypin italian edhe administratori i deleguar i klubit, Adriano Galliani. “Nuk ka nevojë të prezantosh Marion. Është një ëndërr që bëhet realitet. Ai gjithmonë ka qenë në zemrën e klubit dhe të Berlusconit. Me mbërritjen e tij përforcohemi së tepërmi. Jemi shumë të lumtur që ia dolëm mbanë, pasi ai ka qenë gjithmonë një përparësi për ne”.

Milani dhe Mançesteri gjetën marrëveshjen për 23-vjeçarin ditën e martë, kur u ra dakord që transferimi i tij të realizohej mbi bazën e 20 milionë eurove, të pagueshëm në pesë këste dhe tre milionë euro shpërblim mbi performancën.

Sulmuesi italian ka pranuar të ulë rrogën e tij vetëm e vetëm që të kthehet të luajë në Itali. Do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, ndërsa tek City paguhej 5 milionë euro.

Top Channel