Kur pështyn qiellin

29/01/2013 00:00

Artan Mullaj – Ka një lajthitje etike dhe etnike në shkulmin mediokër të
akuzave publike që bën mazhoranca kundër opozitës: Njëlloj si borxhi i
paqartë i Shqipërisë, inflacioni i këtyre akuzave, e ka kaluar, të
themi, kufirin e normalitetit.

(Propaganda, edhe pse e tillë, edhe pse surreale, ka edhe ajo normalitetin e vet). Pra kemi të bëjmë me një superprodhim gënjeshtrash e shpifjesh, që përplasen pa asnjë zhurmë dhe pa asnjë kriter ekraneve, duke krijuar një aurorë të mashtrimit. Në dy mandate pushteti, propaganda qeveritare është shquar për krijimin e mjegullës. Sa herë që shpërthejnë fakte të ashpra korrupsioni, që udhëhiqet nga familja e Kryeministrit, mazhoranca angazhohet në krijimin e një inflacioni të lartë dhe të qartë të perceptimit e realitetit, çka do të sjellë edhe deformimin e tij. Thjesht sulmon opozitën, duke shpifur. Por kohët e fundit, situata ka dalë kontrollit. Propaganda është duke u shndërruar në një demagogji të neveritshme. Nuk është fjala për deklaratat e bujshme dhe të ujshme të Kryeministrit, që ka vënë syzet e Altuinit dhe sakaq, mjerimi ynë i shëmbëllehet si mirëqenia e Gjermanisë. Nuk është fjala as për shifrat rebele të rritjes ekonomike, apo për dashamirësinë profetike të Allahut, që na ka dhënë në krye një lider si Berisha, i cili, i vetmi ky në planet, do ta shndërrojë vendin tonë në një superfuqi energjetike. Kësaj lloj propagande po i zë vendin, baltosja dhe poshtërimi i etikës. A është kjo gjë një ngjarje e gëzueshme për mazhorancën. Aspak! Është si të synosh t’i vësh flakën kundërshtarit, ndërkohë që vetë je spërkatur me benzinë.

***

Me fjalë të tjera, duket sikur propaganda e shndërruar në demagogji e mazhorancës, ashtu si ekonomia, që gjendet në krizë të thellë, ka hyrë në qorrsokak. Verbëria e saj shpjegon edhe arsyen se përse ato vajzat pëshpëritëse, që dalin në tribunat e PD, kanë një lloj hutimi në babëzinë e komanduar të tyre për të sharë e shfryrë në emër të Partisë. Buzëqeshjen e kanë çjerrëse, si vetë realiteti shqiptar. Rrezatojnë një lloj krenarie boshe, osmane. Frazat, edhe pse sintaksore, janë mediokre dhe të shëmtuara. Të tilla duken, thjesht sepse ato përdoren për një qëllim të keq. Prodhojnë gënjeshtra patologjike. Përbaltin. Edhe metaforat e Shekspirit të lexonin me ndjenjë këto vajzat me taka të larta të mazhorancës, do dukeshin thjesht të shëmtuara. Metaforat, jo vajzat. Ndoshta edhe vajzat. Shëmtinë nuk do ta shmangte as recitimi i tyre nga ndonjë aktor botëror. Sofia Loren do të ngjante si një mace, nëse në vend të skenarit të një filmi, do artikulonte, të themi, një prononcim nga ato që transmeton çdo ditë mazhoranca në ekranet tona, për të ndotur njëherësh, sa realitetin, aq opozitën.

***

Si mund të të besojë publiku i brishtë diçka që edhe pse e thua me zell, duket qartë që nuk e beson as vetë? Makinerisë së propagandës së pushtetit i ka mbaruar balta. Lënda e parë. Kjo paska ndodhur. As në magazinat rezervë nuk ka më pisllëk për të hedhur. Është harxhuar pa kursim drejt kundërshtarit. E kanë shpenzuar pa karar në 8 vjet sundim e barbari. S’u ka mbetur veçse të pështyjnë. Dhe këtë po bëjnë. Po pështyjnë. Por këtë herë, synuan të pështyjnë lart, qiellin dhe yjet. Prandaj gëlbaza iu kthye fytyrës.

Le t’u rikthehemi pyetjeve strategjike të Partisë Demokratike bërë Linda Ramës një herë, dy herë, shumë herë. Sa kate ka “kështjella” e Linda Bashës, që na doli se nuk është kështjellë, dhe nuk është as pronë e saj? Pyetje tjetër: Sa borxhe ka dhënë apo ka marrë pa interes gruaja e kryetarit të opozitës? A ka ndikuar lidhja e saj me Edi Ramën në 2010-n, për dhënien e një leje ndërtimi në 2006? A realizoi pra ajo një lidhje në të ardhmen me Ramën, për të përfituar një leje në të shkuarën?

Adoleshentët në “Facebook” janë më të kujdesshëm se kaq në ngacmimet mes tyre. Edhe fëmijët janë më konstruktivë në përzgjedhjen e pyetjeve. Janë më të përgjegjshëm në vizatimet e tyre… As të rriturit, as shkollarët, as invalidët, as dervishët e priftërinjtë nuk pëlqejnë të duken kaq idiotë në sytë e të tjerëve, duke thënë gënjeshtra që njihen si të tilla. Por vajzave të PD-së nuk u lëviz muskul fytyrës. Gënjejnë e baltosin opozitën në emër të shefave të tyre. Menaxherët e imazhit në koalicionin e mazhorancës e kanë humbur përfundimisht sensin e etikës. Asgjë nuk e turbullon ujin mavi të moralit të tyre. I kanë hequr dorezat, nuk kujdesen më për gjurmët e injorancës që lënë në realitetin e lodhur. Kanë dalë hapur. Mashtrues, hajdutë, idiotë të neveritshëm në zgjedhjet e tyre. Nuk duan t’ia dinë se politika është përfaqësim. Mbase e kanë kuptuar që politika është pjesë e një kulture, por kjo s’i ka ndaluar ata ta shëmbëllejnë në çdo rast me makutërinë. Pra pështymja vazhdon, edhe pse buzët, gjuhën dhe qiellzën i kanë të thara si gjethe mëllage. Edhe pse kështjella e Linda Bashës nuk është kështjellë, ata vazhdojnë e gjakosin fytin për të prodhuar gëlbazë. Për të shfryrë gëlbazë. Por kjo sakaq u kthehet pa mëshirë fytyrës së tyre. Është fytyra e tyre e vërtetë, maska e fundit. Publiku çfarë sheh? Sigurisht nuk sheh një pallat pesëkatësh, sepse katet nuk janë 5, por 3. Sheh edhe një papafingo mbi to. Publiku sot sheh një parti politike që mashtroi dhe vazhdon të mashtrojë për katet e një banese, sy ndër sy, dritë për dritë, ballë për ballë. A mund të presësh nga ajo transparencë dhe seriozitet? Kjo parti politike është në pushtet. Qeveris. Vendos për fatin e fëmijëve të këtij vendi. Vendos për pasurinë e këtij vendi. Për jetën, të ardhmen, shpresën. Ç’e keqe mund ta gjejë më shumë se kaq këtë vend. Ç’mund të thuash për çështje me rëndësi kapitale. Për pronat publike të shndërruara në palcë pastërmaje, e thithur sakaq nga babëzitë. Ç’mund të thuhet për shifrat, begatinë, “rritjen” vullkanike të ekonomisë sonë, qysh kur, sa më shumë shndritim, aq më shumë vuajmë urie. Kur një parti politike që qeveris, shet integritetin e saj kolektiv për një mashtrim të pacipë, duke i thënë “ditës”, “natë”, ç’mund të mendosh për “arritjet” që lideri i saj, kryeministri i jargavitur i vendit, deklaron në tribuna për të sfiduar Gjermaninë edhe Kinën? Është si të përmendë furçën dhe kolinozin një gojë me dhëmbë të krimbur dhe të palarë, që kundërmon. A thua nuk dinë të numërojnë katet e një banese? A thua janë kaq të paparë sa s’dinë të dallojnë kështjellën nga një shtëpi banimi. A thua nuk kuptojnë dot kufirin mes ditës dhe natës? A thua s’kanë më nevojë për dritën e syve? O Perëndi, na qeverisin disa specie që nuk dinë dhe duan të numërojnë. Tani që edhe balta u ka mbaruar, edhe fyti u është tharë, koha të kthehen në identitetin e tyre. Në nevojën e hershme për të mësuar germat dhe numrat. Të mësojnë të numërojnë, të mësojnë të sillen me gratë, me familjet, të mësojnë të flasin, të mësojnë ta duan normalitetin dhe pastaj, në fund, me ndërgjegjen e brishtë të rilindur, të pastrojnë edhe gëlbazën e tharë fytyrës së tyre. Pastaj le të vijnë të guxojnë, të synojnë, të kërkojnë të qeverisin një shoqëri, që nuk meriton të qeveriset nga pështyma, balta dhe injoranca.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA