Kupa e Italisë, Lazio kalon në finale

29/01/2013 23:44

Është Lazio finalistja e parë e Kupës së Italisë, pasi ka mundur 2-1 Juventusin në ndeshjen e kthimit, brenda në “Olimpico” të Romës.

Pasi ndeshja e parë ka përfunduar 1-1 në Torino, kryeqytetasve i mjaftonte barazimi 0-0 dhe gjatë gjithë pjesës së parë Lazio ka qëndruar në pritje, duke shfrytëzuar hera herës ndonjë kundërsulm.

Me fillimin e pjesës së dytë, pikërisht nga një aksion i tillë, lacialët kalojnë në avantazh me golin e Gonzales. 6 minutat shtesë, në fund të 90-minutëshit, shtojnë emocionet dhe ankthin në këtë ndeshje.

Vidal i shpëton Radus dhe barazpeshon gjithçka. Megjithatë zgjat pak kjo festë. Lazio u duk se e meritoi këtë finale dhe për 60 sekonda sërish rigjen avantazhin me Flokarin, i cili shënon golin e dytë pas një goditjeje këndi.

Kishte sërish Markizio fatin e skuadrës së tij në dorë, për ta kaluar në finale, por me portën bosh e çon topin jashtë dhe mbyll në këtë mënyrë gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë.

Me këtë fitore, Lazio siguron një objektiv shumë të rëndësishëm sezonal, duke arritur në finale. Ndërkohë që kundërshtarin do ta mësojë më 17 prill, kur do të zhvillohet ndeshja e kthimit mes Interit dhe Romës.

Ndeshjen e parë mes tyre e ka fituar Roma me rezultatin 2-1.

Top Channel