Xavi rinovon deri në vitin 2016-n

28/01/2013 20:55

Xavi Hernandez hodhi firmën në një kontratë të re me Barcelonës, e cila do të mbajë atë në “Camp Nou” deri në verën e vitit 2016.

Firma mbi kontratë u hodh në zyrat e klubit, me 33-vjeçarin që firmosi në prani të presidentit Sandro Rosell.

Kontrata aktuale e Xavit, një futbollist i formuar në ekipin e moshave të katalanasve, skadonte në vitin 2014.

“Është një ditë e veçantë për mua, pasi siguroj qëndrimin tim në një vend ku gjithmonë kam dashur të jem. Nuk kam asnjë qëllim tjetër përveçse të luaj deri në fund të karrierës sime me Barcelonën. E di që klubi ka bërë një sakrificë dhe e falenderoj për gjithçka. Do të përpiqem ta shpërblej duke ruajtur rendimentin e viteve të fundit”, deklaroi Xavi.

Mesfushori, i cili me 659 ndeshje të luajtura me fanelën e Barcelonës është lojtari me më shumë ndeshje në historinë e klubit, ka fituar gjashtë tituj kampionë të Spanjës dhe tre Champions në “Camp Nou”, si dhe një Botëror e dy Europianë me kombëtaren spanjolle.

Top Channel