Fatos Baxhaku – Të gjithë sot brohorasim, ndonëse ndonjëri prej nesh ka
qenë fort i zellshëm ndër sisteme të shkuara, se shkalla e demokracisë
që kemi arritur, është ku e ku më mirë se sa diktatura. E vërtetë.
Demokracia, qoftë edhe gjysmake, është ku e ku më e mirë për qytetarin e
thjeshtë se sa diktatura.
Vetëm se shpesh harrojmë një gjë. Që të dyja sistemet, nëse demokracia bie në duar të gabuara, nisin t’i ngjajnë njëra-tjetrës në mënyrë të habitshme, madje të frikshme, ndonëse me mjete dhe qëllime më të rafinuara.
Dikur diktatura nuk lejonte shfaqjen e një opinioni të ndryshëm nga ai zyrtar, ndonëse ai fshehurazi ekzistonte. Dy ishin mjetet e diktaturës, e para ishte dhuna, dhe e dyta, ishte mashtrimi apo demagogjia, merreni si të doni. Në demokraci, sidomos këtë tonën që mezi po e çan shtegun e saj, nuk është se diferenca mes moralit dhe gënjeshtrës sfumohet plotësisht, përkundrazi në shumë raste, gënjeshtra triumfon mbi të drejtën, e keqja mbi të mirën e kështu me radhë. Kështu ndodh kur secili sistem, pavarësisht nga vendi, individët, historitë konkrete e të tjerë faktorë, lëshohet si me parashutë vetëm në krahët e liderëve të politikës, të atyre që në mendje nuk kanë asnjë objektiv tjetër përveçse pushtetit. Ne kemi më shumë se 20 vjet që po e dëftejmë këtë, pra ne jemi një popull që merr pjesë aktive në politikë, madje me shumë zjarr e zell, por ende nuk kemi mundur të krijojmë atë, që në botën ku po rrekemi të mbërrijmë, quhet rëndom “opinioni publik”. Ky do të ishte çelësi magjik për ta ruajtur shoqërinë nga sundimi i pakicës mendjedhënëse e vendimmarrëse.
Nuk është se njerëzit tanë nuk mendojnë. Ata mendojnë, madje shumë. Një pjesë e mirë prej nesh e ka lidhur mendimin e tyre politik apo shoqëror me njërën apo tjetrën parti thjesht nga nostalgjia prindërore, apo edhe gjyshërore. Mjafton që në një zonë të Jugut, gjyshi të ketë qenë partizan dhe kështu edhe pasardhësit e tij duhet të votojnë për krahun e majtë. Ndodh edhe e kundërta, mjafton që një i ri të jetë nga Burgajeti, vendlindja e Mbretit Zog I, që të vendosë të votojë për të djathtën, duke mos e ditur – dhe as që i duhet ta dijë – se e djathta, kështu sikur e marrim ne, shkon që nga republikanët fanolistë e deri tek ish-komunistët që dikur sarajet e Mbretit i përdorën për të shtruar bulevardin e Burrelit. Kjo pjesë e votuesve është ajo që e ndan vendin në krahina, lugina, rrëpira, e deri edhe shenja të vjetra bajraqesh. Për partitë, kjo pjesë është votë e sigurt. Ndër ta nuk ka nevojë të bësh propagandë. Këta janë “besnikët e partisë”.
Një kategori tjetër prej nesh e ndërtojnë mendimin e tyre të paktën atë të shpallur deri diku publikisht, në interesat e tyre imediate e jetike, kryesisht në ruajtjen e vendit të punës. Për shembull shumë skraparllinj i kanë të gjitha arsyet që të votojnë LSI, sido që të vendosë kreu i partisë, vetëm e vetëm që të ruajnë vendin e punës në shtet. Po kështu, shumë tropojanë, e dikur shumë lebër, apo mallakastriotë. Është e tepërt të themi se këta as nuk dinë e as që duan t’ia dinë për programin e partisë për të cilën votojnë.
Pas këtyre dy kategorive vjen një shtresë tjetër, shumë e gjerë. Këta janë “ultras” të x apo y partie, pa e ditur as vetë. Nëse i shikoni, këta marrin prej liderëve të tyre optimizimin pa kufi. Prej tyre kanë mësuar se duhet folur me terma të rëndë e të përgjithshëm, nga ata që nuk thonë asgjë. Vetëm kështu të tjerët që i dëgjojnë në klubin e fshatit do të thonë: Sa bukur foli lugati more! Këta dallojnë hijen e liderit deri në detajet më të vogla. Pikërisht këta e dinë se përse njëri apo tjetri kishte veshur këmishë të bardhë apo me ngjyra, madje edhe se ç’domethënie ka ndryshimi i kollares herë pas here. Mbartësit e këtij opinioni partiak janë ëndërrimtarë, njësoj si të adhuruarit e tyre. Këta nisen më shumë nga pasioni pa fre se sa nga faktet që i kanë përditë para syve. U përmbyt fshati? Ani burra, rëndësi ka që partia të fitojë zgjedhjet! Kjo lloj kategorie është shumë “qokaxhie”. Këta përloten kur lideri i tyre shkon gjëkundi për ngushëllim. Ata ngazëllehen kur në kronikat e lajmeve “i madhi” del shëtitje me nipër e mbesa. I duket sikur kanë dalë ata vetë, ndonëse këtë nuk kanë pasur mundësi ende ta bëjnë. Por kjo nuk ka as pikën më të vogël të rëndësisë. Ai, vetëm ai të jetë mirë, pa u bëftë kiameti!. Kjo lloj race ka një ndjesi shumë të zhvilluar të ndjesisë kolektive. Për të more, dasma, përvjetorë, janë një gjë që duhet mbajtur mend thuajse për jetë. Dy kategoritë e para dhe kjo kategoria e “besnikëve të partisë” e kanë ngritur në nivele shumë të sofistikuara opinionin partiak te ne. Aq sa, po të mos jesh me njërin apo tjetrin krah, në rastin më të mirë të quajnë të luajtur nga mendtë.
Njerëzit duhet të merren me politikë. Ata duhet t’i njohin programet e partive dhe në bazë të kësaj të vendosin me votë të ardhmen e tyre. Largimi nga politika, mbyllja në guaskë, indiferentizmi fatalist, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse ua shtojnë shanset të mëdhenjve të bëjnë ç’të duan me këtë vend. Porse që nga kjo e deri te mungesa e opinionit publik është një kapërcim shumë i madh. Në përgjithësi me termin “opinion publik” kuptohet një mendim i përgjithshëm mbi të mirën dhe të keqen e përbashkët e shprehur nga persona të rritur e të përgjegjshëm. Ky opinion ka të bëjë me politikën, por jo veçmas me partitë. Ndër vendet më të zhvilluara se sa ne, pikërisht ky opinion bën që politika, e pra edhe partitë e liderët e tyre, të ndryshojnë, të modifikohen dhe nga lider të padiskutueshëm të tipit të Gedafi të shndërrohen në udhëheqës kalimtarë të politikës së ditës. Zakonisht opinioni publik, sidomos në kohët e sotme të bumit teknologjik, transmetohet, mbështillet, vetëformohet nëpërmjet mediave. Për fat të keq, te ne ka ndodhur që të kemi më shumë një opinion partiak, shumë herë edhe violent e të zhurmshëm, se sa një opinion publik të mirëfilltë. Ky fshihet ndër faqe sociale interneti, apo nëpër faqet e fundit të gazetave, ndër biseda të heshtura mes qytetarësh që i mbyt zhurma e besnikëve të partisë. Kemi arritur në një pikë të tillë kontradikte saqë shumëkush pretendon për një demokraci të zhvilluar vetëm me mendësi partiake. Si i bëhet?
Top Channel