Kërcënime francezëve në Nigeri

28/01/2013 21:45

Konsullata franceze në Lagos të Nigerisë ka deklaruar se ka marrë kërcënime direkte kundër Francës dhe francezëve nga grupe terroriste nigeriane.

Në një komunikim drejtuar komunitetit francez në Nigeri, konsullata ka këshilluar zyrtarisht që të shmangen udhëtimet në veri të Nigerisë, për shkak të pranisë së lartë të militantëve.

Sipas mediave franceze, kërcënimet paralajmërojnë kundërsulme ndaj operacioneve të ushtrisë franceze në Mali, për të ndihmuar trupat vendase në luftën ndaj militantëve islamikë.

Aktualisht forcat franko-maleze po avacojnë drejt qytetit verior të Timbuktusë, ndërsa të shtunën ato morën kontrollin e Gaos, një tjetër qytet i rëndësishëm në veri të vendit.

Avancimi vjen në kohën kur liderët e Unionit Afrikan po takohen për të diskutuar dërgimin e ushtarëve të tjerë në Mali.

Militantët islamikë pushtuan veriun e vendit vitin e kaluar, por që prej ndërhyrjes së francezëve në fillim të muajit kanë humbur terren dhe janë tërhequr nga disa zona.

Shumë rebelë, sipas raporteve në media, janë larguar drejt vendeve të fshehta në shkretëtirë dhe ndjekja e tyre mund të rezultojë më e vështirë nga sa mendohet.

Në mbrojtjen e kryeqytetit Bamako për çdo rast ndihmojnë edhe trupat nga Nigeri e Çadi. Timbuktuja ka qenë një qendër e rëndësishme islamike nga shekulli i 13 deri në të 17.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA