Flama elektorale tanimë ka shpërthyer

28/01/2013 00:00

MUSTAFA NANO – Kam zënë t’i frekuentoj më pak kafenetë. Përherë jam
futur rrallë e kam ndenjur pak në to, por kohët e fundit futem edhe më
rrallë e rri edhe më pak. Më krijojnë një lloj bezdie televizorët e
varur në muret e tyre, e të cilët mbahen hapur në stacionet me natyrë
informative.

Mezi e duroj idenë që ta pi një kafe në shoqërinë e pamjes prore të murrëtyer të Berishës (dje, nga një bar, e shihja në Elbasan; nuk ia dëgjoja zërin, por kisha mundësi të ndiqja gjuhën e tij trupore në transmetimin live në njërin nga televizionet që e bëjnë këtë punë), apo nën shoqërinë e pamjes së të tjerëve, të cilat të krijojnë të njëjtën bezdi, s’ka gjë se nuk janë të murrëtyera. Më duket vetja si nën një rrethim.

Unë i kuptoj televizionet që japin lajme 24 orë në 24 orë. Ato bëjnë punën e vet. Ka dhe në vende të tjera normale televizione të tilla. Çfarë nuk kuptoj janë të zotët e bar-eve që i mbajnë televizorët të sinkronizuar tek kanalet e informacionit non stop, dhe ca më shumë, njerëzit që futen në kafene e rrinë fare pa të keq me sytë nga ekrani për të ndjekur live mbledhjet e qeverisë, zëdhënëset e shtypit, denoncimet nga foltore selish partiake, tubimet elektorale, etj. Çuditem me ata që e përjetojnë si një gjë normale këtë rrethanë.

Personalisht, nuk i ndjek as në shtëpi. Në asnjë rast. E me këtë veprim thjesht kujdesem që të ruaj higjienën e apartamentit tim. Dhe higjienën time psiko-mentale. Të ndjekësh lajmet tona – kështu më duket shpeshherë – është si të kesh shkalluar. E prandaj, apartamentin tim e kam shndërruar në një qoshe, ku nuk mund të depërtojnë lajme të tilla, rrjedhimisht as banditizmi politik. Bartësit e këtij të fundit – i them shpesh vetes – mund t’m’i bëjnë të gjitha të këqijat e mundshme, mund t’më vjedhin votën time, mund të plaçkisin pasurinë publike, mund të vrasin me synimin për ta ruajtur apo marrë pushtetin, por në shtëpi nuk mund të më hyjnë. Mua nuk më falet që t’i lejoj t’më hyjnë edhe në apartamentin tim. Dhe prandaj nuk i lejoj.

Mua sigurisht, puna ma do që të informohem mbi atë që ndodh, e për ta bërë këtë futem në sitet e informacionit online; në mos, pres të nesërmen për të lexuar gazetat. Ngushëllohem nga fakti që sitet e gazetat, ndonëse vuajnë nga e njëjta sëmundje, d.m.th nga politizimi e mortorizimi (jepen vazhdimisht lajme me vdekje, vrasje, therje, etj.) i tejskajshëm i informacionit, janë gjithsesi më pak agresive. Është më e ngjërueshme të lexosh lidhur me një aktivitet të shpifur elektoral e lidhur me fjalimet banale të udhëheqësve politikë (ç’është e vërteta, gazetat po e bëjnë gjithnjë e më pak raportimin e aktiviteteve të tilla), se sa t’i ndjekësh live në një transmetim televiziv.

Transmetimet live të aktiviteteve politike janë një gjë që shpeshtohet në këto kohë elektorale. Shqipëria pushtohet e tëra nga politika e politikanët gjatë fushatës. Është aq e fortë e imponuese ideja e këtij “pushtimi”, sa gati-gati duket sikur nuk lejohet të bëhet gjë tjetër muajt e fundit para ditës së votimit; të jepet përshtypja pra se të bësh gjëra normale, d.m.th të lexosh një libër me poezi, të shohësh një film thriller, të bësh një shëtitje buzë detit, të lutesh, të puthësh, të pish një gotë verë, të luash futboll, etj., mund të të shohin të tjerët si të jesh duke bërë një gjë krejt të habitshme e anormale.

Dhe ethet elektorale kanë filluar tanimë. Televizionet tona kombëtare, të cilat edhe në kohë “paqeje” bien në sy për zjarrminë e tyre politike, tani shndërrohen në zjarr e flakë. Edicionet e lajmeve në orët kryesore në fakt nuk janë më me lajme; janë thjesht me konferenca për shtypin, me njoftime zëdhënësesh, me mitingje, me denoncime dhe me mesazhe që bartin e përcjellin … asgjë, veç vulgaritetit.

Nën këtë përndezje televizivo-elektorale, oazet jopolitike bëhen më të pakta në numër, ndërsa njerëzit zakonisht asnjanës e moskokëçarës kapen vetvetiu prej epidemisë. Në bisedat mes miqsh, bisedat politike bëhen më të shpeshta. Edhe në ato grupe miqsh, ku bisedave politike u është dhënë munxët nën motivime qibare, apo ku është rënë dakord në heshtje që të mos flitet për politikë me synimin për ta ruajtur grupin nga prirjet e fshehta sektare që mund të ridalin në dritë, edhe në grupe të tilla pra do dalë se s’bën dikush që do të bëjë pyetjet: kush do të fitojë? Si do shkojë puna me këto zgjedhje? Kanë për t’u prishur zgjedhjet? Do të mundë Berisha t’i vjedhë? Është në gjendje opozita të fitojë? Po Ilir Meta nga do t’ia mbajë? Po Bamir Topi ka gjë në vijë? Etj., etj.

Ne rëndom e matim paaftësinë tonë për të bërë zgjedhje me përpjekjet që bëhen për të trukuar rezultatin, me ngjarjet që ndodhin e që shoqërojnë ditën e votimit, apo me zhurmën e madhe që bëhet pas zgjedhjeve. Por duhet thënë se kjo paaftësi fillon me faktin, që ne e lëshojmë veten të pushtohemi të tërë e tërësisht nga atmosfera elektorale, ose thënë ndryshe, me faktin që neve, me të filluar fushata, na kap të gjithëve tartakuti. E vëmë veten, me gjithçka kemi (apartamentin tim nuk e lëshoj, ta dini!), në funksion të flamës elektorale. Nuk i ikën dot kësaj flame. Edhe sikur ta kesh në mendje që t’i ikësh zhurmës së madhe, që t’u fshihesh tam-tam-eve, që të rrish larg britmave, që këtu i quajnë fjalime, që të mos bëhesh njësh me ca harbime që këtu i quajnë tubime a mitingje, ti prapëseprapë nuk ia del dot. Dhe është ky politizim total në rrethana të tilla që këtë vend ta bën të largët nga Europa ku duam të shkojmë, e ku, në secilin vend, zgjedhjet janë thjesht një ritual i pabujë demokratik.

Ja, në Italinë fqinje po jetojnë kulmin e fushatës (zgjedhjet e tyre janë tani në shkurt), por atje jeta vijon njësoj si më parë. Njerëzit nuk ndodhen nën asnjë “agresion”. Edhe mass-media, pavarësisht një tensioni fare të lehtë elektoral që ia ka lejuar vetes, e që në të vërtetë nuk mund ta shmangë, nuk po vihet re të vallëzojë me ritëm politik. Nuk mund të ndodhë kjo atje. Ndryshe, do të ishte mungesë respekti për lexuesit e shikuesit.

Ndërsa këtu tek ne, flama elektorale ka shpërthyer katër a pesë muaj para ditës së votimit. E çfarë flame!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA