E drejta e autorit mbrohet me ligj në botë, përfshirë dhe vendin tonë. Pronësia intelektuale pa dyshim duhet paguar nëse përdoret nga të tjerë. Në Shqipëri, ligji për mbrojtjen së drejtës së autorit ka hyrë në fuqi në vitin 2005.
Zyra shqiptare për të drejtat e autorit, ose ZSHDA, është institucioni qendror në vartësi të MTKRS-së, i krijuar për të ushtruar veprimtari në mbështetje dhe në zbatim të legjislacionit shqiptar për të drejtën e autorit dhe të drejtave të lidhura me të, brenda kufijve të vendit.
Agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, me propozim te ZSHDA-së dhe me pas liçensim nga MTKRS, administrojnë të drejtat e autorit, ose të drejtat e lidhura me të drejtat e autorit vetëm brenda kuadrit të tagrave që titullarët e këtyre të drejtave u japin agjencive, mbi bazën e kontratave. Në Shqipëri janë katër të tilla: AMP, AKDIE, ALBAUTOR dhe FMAA.
Duke respektuar në maksimum të drejtën e mbrojtjes me ligj të pronësisë intelektuale dhe legjitimitetit për të ushtruar veprimtarinë nga ana e ZSHDA-së dhe agjencive, në bazë të ankesave që kanë ardhur në Top Channel nga subjekte të ndryshme, shtrohet pyetja: a veprojnë ato në përputhje me ligjin?
Pronarë lokalesh ankohen se përfaqësues të agjencive dhe të ZSHDA-së paraqiten pranë tyre, duke u kërkuar të paguajnë para për veprat artistike që vendosin në ambjentet e tyre, pa u dhënë sqarime dhe dokumentacione që të vërtetojnë legjitimitetin e veprimtarive që ato ushtrojnë.
“Agjencia më ka kërkuar të bëj një pagesë për të drejtat e autorit, ndërsa një agjneci tjetër më kërkon të njëjtën pagesë për të njëjtën arsye. Agjencitë janë pothuajse të njëjta, në bazë të monitorimit që i është bërë ambjentit. Ku ta di unë që këto lekë do të shkojnë vërtetë tek autori, tek Whitesnake apo tek Rihana? Edhe sa agjenci do më vijnë mua?”, tregon Blerdar Doçi, pronar i “Oops”.
“Vijnë njerëz që pretendojnë se janë për të drejtat e autorit dhe kërkojnë një pagesë për muzikën që vendosim pa dhënë asnjë sqarim”, thotë Renis Huta, menaxher i “Baroque & Saint Tropez”.
Një tjetër subjekt ankohet se pas njoftimit, sipas tij, të paqartë nga ana e ZSHDA-së për të paguar për vitin 2012 të drejtat e autorit, ka marrë një gjobë pa u vënë në dijeni për të dhe për afatin e skadencës së saj. Me surprizë të subjektit, kësaj gjobe i bashkangjitet edhe gjoba e zyrës së përmbarimit. Po për të njëjtin vit, një agjenci i kërkon para të tjera.
“Agjencia për të drejtat e producentëve, po ç’kërkon ajo? Unë u thas se një gjobë e kam paguar, por ata u përgjigjën se ne jemi të tjerë. Si bëhen këto krahasime kur një radio transmeton me qindra këngë? Nuk ka transparencë”, thotë Erjon Haxhimihali, administrator i përgjithshëm i “Internacional”.
Në këtë pikë, a është e drejtë mënyra sesi operojnë këto agjenci? Sipas ekspertëve: Jo! “Që në fillim të formulimit të shkresës kërkohet njoftim për të drejtat e artistit. Që në fillim subjekteve i bëhet një farë presioni për të paguar shumën e kërkuar. Personit i duhet bërë të ditur se në mungesë të pagesës rrezikojnë ndëshkim financiar dhe penal. Neni i së drejtës civile parashikon që pritësi i shërbimit të kthejë një përgjigje brenda një afati ligjor, që kur ndodh do të thotë se kontrata është e lidhur. Në rast të kundërt, ajo nuk është e tillë”, thotë avokati Vojo Bregu.
Një tjetër pikë që çalon është edhe monitorimi që agjencitë u bëjnë subjekteve, për të vërtetuar veprat artistike që përdorin. “Rregullatori ndërkombëtar e ka rregulluar se si mund të gjendet prova. Është e rëndësishme që në Shqipëri të ketë një njësi matëse kur agjencitë pretendojnë marrjen e gjobave ndaj subjekteve”, thotë avokati tjetër Arben Hoxha.
Për specialistët, ligjërisht, duke u bazuar në njoftimet që u paraqiten, pronarët e lokaleve nuk janë të detyruar të paguajnë agjencitë. Por, meqenëse ZSHDA sipas ligjit u kërkon subjekteve që të paguajnë të drejtat e autorit çdo vit, atëherë sipas ekspertëve, pronarët dhe menaxherët e lokaleve duhet t’u kërkojnë agjencive që paraqiten në klubet e tyre qartësi maksimale dhe vërtetime për çka pretendojnë se administrojnë.
Nëse agjencitë nuk vërtetojnë, atëherë subjektet duhet t’i drejtohen ZSHDA-së, duke denoncuar parregullsitë. “Mendoj që shkresat e agjencive në rastin më të mirë janë abuzim, ndërsa në më të keqin mashtrim”, shton më tej juristi Bregu.
A i kanë të gjitha agjencitë listat dhe kontratat me personat që pretendojnë se administrojnë? A vërtetohet se paratë që ata mbledhin shkojnë realisht tek këta persona. Zyra shqiptare për të drejtat e autorit e ka kryer funksionin mbikëqyrës mbi veprimtarinë e këtyre agjensive? Fjala i mbetet kësaj të fundit.
Top Channel