Messi “poker” dhe tjetër rekord. Ronaldo “tripletë”

27/01/2013 21:30

Lionel Messi bëhet i pari lojtar, që shënon në 11 ndeshje radhazi në La Liga, pasi të dielën realizoi 4 gola, teksa kryesuesit e Barcelona-s kalojnë pa vështirësi Osasuna-n, të mbetur me 10 veta. Rezultati 5-1.

Pedro Rodriguez është autori i golit tjetër për katalanasit, ndërsa Raoul Loe shënoi golin e “nderit” për Osasuna-n, ekip që luajti për më shumë se gjysmë ore me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq ndaj Alejandro Arribas, për një prekje të topit me dorë.

Barca mbetet 15 pikë përpara Real Madrid-it, në vendin e tretë, ndërsa Atletico Madrid e vendit të dytë ka një ndeshje për të luajtur me Bilbao-n. Osasuna mbetet në zonën e rënies nga kategoria, me 18 pikë, dy më pak nga zona e shpëtimit.

Messi ka shënuar deri më tani 33 gola sezonalë, 12 më shumë se Cristiano Ronaldo, i cili më herët gjatë së dielës, kishte shënuar një “tripletë” për Real Madrid, gjatë fitores 4-0 me Getafe-n.

David Villa luajti si titullar në ndeshjen e tij të parë, pas më shumë se 2 muaj, ndërsa ish-lojtari i Liverpool, Javier Mascherano, zuri vendin e të pezulluarit Gerard Pique, në qendër të mbrojtjes.

Golat e Real-it u shënuan të gjithë në pjesën e dytë, kur “merengues”-it zhvilluan një lojë spektakolare në derbin me Getafe-n. Goli tjetër u shënua nga Sergio Ramos, edhe pse me ndihmën e devijimit të Juan Valera-s.

Top Channel