Djokoviç fiton “Australian Open”

27/01/2013 13:40

Numri një i botës në tenisin e meshkujve, Novak Djokoviç, nisi mbarë 2013-n, duke bërë të tijin titullin e parë “Grand Slam” të vitit, në Australi.

Në finalen e zhvilluar të Melburn, numri një i botës mposhti rivalin Andi Murray, në një ndeshje të dyluftuar vetëm në dy setet e saj të parë.

Pasi humbi setin e parë me “tie-break” dhe fitoi të dytin përsëri me “tie-break”, Djokoviç bëri diferencën në dy setet e tjerë, duke fituar 6-3, 6-2.

Në ndihmë të suksesit të serbit erdhi dhe përgatitja e dobët psikologjike e britanikut, që u duk gjithmonë e më i shqetësuar nga brohoritjet e publikut dhe i bëri disa herë thirrje gjyqtarit që të impononte qetësinë në fushë.

Djokoviç ka fituar në karrierën e tij tenistike gjashtë “Grand Slam”, katër herë “Australian Open”, nga një herë në “US Open” dhe “Wimbledon”, ndërsa në “Roland Garros” ka mbërritur deri në finale.

Nga sukseset e tij të deritanishme, i njohuri me shkurtimin “Nole” në shtypin botëror, ka grumbulluar një total prej 45 milionë dollarësh në formë shpërblimesh për rezultatin.

Top Channel