Ilir Yzeiri – Zhak Attali, intelektuali i njohur francez, shkruante këto ditë në blogun e tij se viti 2013, për nga zymtësia dhe tragjiciteti, të sjell ndër mend vitin 1913.
Për ne, ky vit shenjon edhe zyrtarisht copëtimin e trojeve të banuara me shqiptarë, ndaj është dyfish një vit i zymtë. Mirëpo intelektuali i njohur francez nuk e risjell në kujtesë vitin 1913, për shkak të asaj që u ka ndodhur shqiptarëve. Ai rikujton dramën dhe tragjeditë e mëdha botërore që u nisën në këtë vit. Në vitin e largët 1913, pra 100 vjet më parë, pas një rritjeje ekonomike të shkëlqyeshme, erdhi menjëherë një krizë financiare e provokuar nga fuqia e parë ekonomike e asaj kohe që ishte Britania e Madhe. Ndërkohë një progres teknik i konsiderueshëm u shfaq në horizont në fushë të energjisë dhe të komunikimit (elektriciteti, automobili, avioni, radioja, nëndetësja). Po ashtu, një sërë lëvizjesh që promovonin demokracinë u dukën në Amerikën Latine, në Afrikë, në Rusi e në Azi. Mirëpo, në të njëjtën kohë, u shfaqën edhe lëvizje terroriste siç do t’i quanim sot, ose “nihilistë” siç quheshin në atë kohë. Në të njëjtën kohë, vijon Attali, ideologji totalitare nisën ta denigrojnë ekonominë e tregut dhe demokracinë dhe paralajmëronin se do të luftonin ideologjinë e të drejtave të njeriut. Megjithatë, në këtë vit, më 1913, askush nuk e njihte emrin Lenin që do të merrte pushtetin në Rusi katër vjet më vonë, aq më pak atë të Musolinit që do të marshonte në Romë 7 vjet më vonë dhe aq më pak nuk njihej emri i Hitlerit, ai që do të kryente grushtin e shtetit 10 vjet më vonë. Po ashtu, vijon Attali, askush nuk e mendonte që një akt terrorist çfarëdo do të shkaktonte, sipas lojës së aleancave, Luftën e Parë Botërore, e cila do të pasohej nga një krizë e rëndë ekonomike dhe pastaj do të niste një Luftë e Dytë Botërore dhe që regjimi sovjetik që lindi gjatë Luftës së Parë, do të vijonte për 75 vjet.
Analiza e Attalisë kthehet me fytyrë nga viti 2013 dhe vëren se, edhe sot, të njëjtat forca progresive qëndrojnë në një njërën anë dhe të njëjtat turbullira në anën tjetër, si dhe të njëjtat forca destruktive, gjithashtu. E njëjta krizë ekonomike. E njëjta tentativë për të dalë nga kjo krizë me anë të proteksionizmit, dhunës dhe madje edhe luftës, në disa raste të ftohtë. Po ta shohësh botën e sotme, shkruan Attali, do të vëresh se sapo është mbyllur një periudhë e shkurtër, ku nuk ekzistonte asnjë luftë mes dy vendesh. Tashmë harku i dhunës shtrihet thuajse në të gjithë globin: një luftë në Mali, konflikte në Libi (nga ku janë çliruar një arsenal i jashtëzakonshëm armësh), një konflikt mes Izraelit dhe Palestinës, luftë civile në Siri, tension mes Indisë dhe Pakistanit, mes Kinës dhe Japonisë që mund të prekin edhe aleatët e SHBA-së për të zbritur në Meksikë, në Brazil ku konfliktet e karteleve të drogës mund të arrijnë deri në Guinenë Perëndimore madje deri edhe në Mali. Gjithçka është në dritë të diellit dhe gjithçka mund të sjellë kërcënimin e një lufte të tretë botërore, thotë Attali. Askush nuk e di, vijon ai, se ku mund të përsëritet incidenti i Sarajevës; ndoshta në ishujt e vënë në pikëpyetje mes Kinës dhe Japonisë? Ndoshta. Për të evituar këtë praglufte, thotë ai, duhet të dallojmë qartësisht betejën kundër narko-islamikëve, të cilën duhet ta bëjmë të gjithë nën formën e një aksioni policor ndërkombëtar (ku janë në Mali gjermanët? Anglezët? Amerikanët?) nga grindjet shpesh qesharake për territore mes kombeve të cilat duhet të bëhen objekt të arbitrazheve të qytetëruara. Nëse nuk i shtrojmë drejt këto parime, nëse do t’i lëmë ekonomitë tona të mbyllen dhe luftërat të hapen, druaj se po shkojmë drejt një katastrofe të llahtarshme, nga e cila, nëse do të kemi parasysh ngjashmërinë me vitin 1913, do të dalim në vitin 2089 dhe për të qenë korrektë, deri në atë kohë, do të jenë vrarë 200 milionë njerëz siç ndodhi nga viti 1913 e deri në vitin 2013.
Kështu shkruan Attali. Ajo që më bëri përshtypje në këtë analizë është mospërfshirja e Ballkanit dhe problemeve të tij. Problemet nacionaliste ose ato për kufijtë, ai i kalon me një frazë, i quan grindje qesharake që mund të zgjidhen me arbitrazh ndërkombëtar. Po të kthehemi në Shqipëri, ndërkaq, viti 2013 është një vit vendimtar për ne. Në këtë vit, ne do të dëshmojmë nëse jemi pjekur si popull që ta marrim fatin tonë në dorë dhe të ndërtojmë demokracinë apo do të jemi objekt i lojërave diplomatike siç ndodhi në vitin 1913. Në vitin 1913, diplomacitë europiane na lanë jashtë më shumë se gjysmën e territoreve, me argumentimin se ishim ndodhur në anën e gabuar të historisë dhe për shkak të identitetit të ndryshuar. Në vitin 2013 jemi përsëri në dorë të tyre dhe po presim përsëri prej tyre që të na mësojnë dhe të na tregojnë se si të qeverisemi, se si të mos vjedhim votat dhe se si të bëjmë shtet. Mirëpo, nëse do të mbajmë në vështrim vitin 1913, do të ishte mirë që këtë radhë, edhe me ndihmën e SHBA-së, t’i marrim vetë në dorë fatet e demokracisë dhe të mbrojmë votën. Është shansi i fundit. Siç e pamë edhe nga analiza brilante e Attalisë, Europa dhe bota ka andralla të tjera me luftën dhe ka pak interes të na mësojë ne demokracinë. Mirëpo nëse nuk e mësojmë tani demokracinë, nuk është çudi që të rrëshqasim në humnerat e luftës edhe ne.
Top Channel