Plas tek Reali, lojtarët: Ose ne, ose Mourinho!

25/01/2013 00:00

Dy ditë më parë, Marca publikoi një artikull të gjatë kushtuar situatës më të fundit të krijuar tek skuadra e Realit të Madridit. Në të flitej për një ultimatum të dhënë nga dy kapitenët e skuadrës, Casillas dhe Sergio Ramos ndaj presidentit Florentino Perez.

Futbollistët i kërkonin presidentit të zgjidhte mes tyre dhe Mourinho-s. Por, një ditë më vonë vetë presidenti Florentino Perez është përgjigjur duke deklaruar se Marca gënjen.

Gazeta prestigjoze spanjolle ka reaguar sërish ditën e premte duke u hapur në faqen e saj të parë me titullin “Marca Non Miente” (shqip. Marca nuk gënjen). Artikulli është i shoqëruar me një foto nga një bisedim me sms mes dy futbollistëve të Realit, emrat e të cilëve janë fshehur qëllimisht nga vetë gazeta për të mos i dëmtuar ata.

Lufta mes Marca-s dhe Perezit nisi pas darkës së të martës mes presidentit Perez, drejtorit të përgjithshëm Angel Sanchez dhe dy kapitenëve Sergio Ramos dhe Casillas. Në fund të darkës, u deklarua se palët diskutuan për bonuset për lojtarët në fund të sezonit.

Por Marca zbuloi se në darkën e gjatë nuk është folur vetëm për bonuset, madje sipas saj, bonuset kanë qenë pika e fundit e prekur në diskutim. Sipas Marca-s, atje është folur për gjendjen aktuale të klubit dhe unitetin e grupit. Dy kapitenët, citon Marca, i kanë dhënë ultimatum presidentit të zgjedhë “ose ata, ose trajnerin Mourinho”.

Të enjten, një ditë pas artikullit shokues të Marca-s, Perez përgënjeshtroi gjithcka madje duke akuzuar gazetën se po përpiqet të destabilizojë dhe përçajë klubin. E gjendur përballë këtyre akuzave, Marca është kundërpërgjigjur ditën e premte me publikimin në kushte anonime të një bisede me anë të sms-ve mes dy futbollistëve madrilenë.

“Thonë që edhe….do të largohet nëse ai (Mourinho) qendron”. Përgjigja: “Jo vetëm…po të them që ka edhe shumë të tjerë që do të largohen nëse qendron ai”, shkruhet në bashkëbisedimin e publikuar nga Marca.

Më pas kalohet tek darka e së martës. Njëri prej bashkëbiseduesve interesohet se për çfarë u fol në takimin e së martës. Për gjithcka, ia kthen tjetri, që nga dhomat e zhveshjes, trajneri, bonuset etj.

Top Channel