MUSTAFA NANO – Në Korçë ka ndodhur një ngjarje jo fort e zakontë.
Mbrëmjen e së martës, në mes të shfaqjes së dramës së Namik Dokles (Po,
po, është tamam ai, Namik Dokle, ish gazetari i Zërit të Popullit,
eksponent i rëndësishëm i Partisë Socialiste, dhe deputet i të gjitha
legjislaturave në Kuvendin e Shqipërisë, që ka shkruar një dramë me
titullin ‘Shën Mëria e Beratit’), një grup spektatorësh e kanë lënë
sallën dhe kanë dalë në mënyrë demonstrative në shenjë mos miratimi e
kundërshtimi ndaj asaj që luhej në skenë.
Gazetat i kanë trajtuar si artdashës këta spektatorë të zemëruar, por mendja ta thotë se nuk janë të tillë. Shfaqja në fjalë ishte e pesta herë që jepej, në të njëjtën sallë, në të njëjtin qytet, nga e njëjta trupë, dhe në asnjë nga mbrëmjet e mëparshme nuk kish pasur reagime që të bënin të kuptoje se drama nuk ish pëlqyer.
Përkundrazi, shfaqja ishte përshëndetur si një ngjarje që e pasuronte dhe e këndellte jetën kulturore të qytetit të Korçës. Kështu do të përshëndetej kudo gjetkë, në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, ku veprimtari të tilla organizohen njëherë në sené.
Prandaj, me siguri që ata spektatorë nuk kanë hyrë e nuk kanë dalë nga salla me motivime të natyrës artistike. Por çfarë kanë ata me dramën në fjalë? Ata denoncojnë një numër mesazhesh, të cilat fyejnë besimin e besimtarët ortodoksë. Ky është pretendimi i tyre, dhe merret vesh se spektatorët që lanë sallën të martën janë besimtarë ortodoksë. Vëreni shënimin që një dorë ka lënë në profilin në facebook të kishës ortodokse (marrë nga Panorama e djeshme); është dikush që flet në vetë të parë: “Prej disa ditësh, teatri Çajupi i Korçës ka vënë në skenë një dramë me skenar të Namik Dokles, e cila është blasfemuese ndaj ndjenjave të komunitetit ortodoks dhe të institucionit të Kishës Ortodokse. Është një skenar bazuar tërësisht në gënjeshtra historike, dhe drama u luajt me paturpësinë më të madhe në nivele artistike mediokre përpara qytetarëve të Korçës… Dua t’i kujtoj zotit Dokle që të mos fyejë dhe të mos provokojë ortodoksët e këtij vendi me mashtrime diabolike.” Më poshtë, pasi nënvizohen frymëzimet politike të Dokles (“komunist i lindur, që padyshim do vdesë i tillë”, thuhet), autori që flet në emër të të gjithë ortodoksëve sulmon me një gjuhë të vrazhdë regjizorin e teatrit të Korçës, Dhimitër Orgockën, dhe gjithë trupën e aktorëve, sidomos ata ortodoksë, të cilët paturpësisht kanë pranuar të luajnë në një dramë të tillë, ku ka fyerje, denigrime, poshtërime ndaj fesë e besimit ortodoks”.
Nga reagimi i besimtarëve, apo i atyre që flasin në emër të besimtarëve, nuk thuhet se ç’mesazh i ka fyer e poshtëruar. Por për ne të tjerët, pasi informohemi mbi këtë reagim, nuk duket se ka rëndësi përmbajtja e dramës. Zhurma e bërë ndaj dramës është aq e padrejtë dhe aq e shpërpjestimuar, sa nuk të lë të fokusohesh tek drama. Këtë të fundit e shpjegon vetë Dokle, megjithatë, në një numër intervistash, në të cilat, pasi thekson se fabula është krejt fiction, dhe se asnjë ngjarje apo personazh nuk është marrë nga historia, na bën me dije se ata, dmth besimtarët, e kanë me emrat e personazheve (sipas tyre, dramaturgu ka përqeshur e baltosur shën Kozmain), dhe me rimarrjen e motivit të ringritjes nga varri të Konstantinit të legjendës së njohur, që sipas besimtarëve, rivalizon me ngjarjen më të rëndësishme biblike, atë të ringjalljes së Jezu Krishtit tri ditë pas vdekjes. Madje, në një moment rreket të na bëjë të besojmë se nuk janë besimtarë, por njerëz që nuk e durojnë dot idenë e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare. Kjo e fundit bie pak era spekulim, megjithatë. Nuk ka prova se “spektatorët” janë zemëruar nga mesazhet në favor të autoqefalisë. Prandaj, le t’i mbahemi tezës së ‘spektatorëve besimtarë’.
Dhe e gjithë kjo të lë një shije të keqe. Dhe këtu e kam fjalën për besimtarët, të cilët kanë të gjithë të drejtën të mos bien dakord, madje edhe të denoncojnë mesazhet e një vepre artistike, por nuk kanë asnjë të drejtë të bllokojnë shfaqjen e dramës (parmbrëmë shfaqja nuk është vënë në skenë, pasi sallës i ishte vënë dryni (“punonjësit të ndriçimit i kish vdekur e ëma”, u tha). Nuk kanë të drejtë, gjithashtu, të mbjellin fushata histerike kundër një drame. E në këtë mes nuk ka rëndësi fare drama e vënë në skenë, nuk ka rëndësi niveli stilistik apo përmbajtja ideore e dramës, nuk ka rëndësi as loja e dobët/e arrirë e aktorëve të Korçës. Pa e lexuar fare dramën e pa e ndjekur shfaqjen, vëmendja të shkon vetëm tek reagimi kundër dramës/shfaqjes. Është një reagim fundamentalist, që synon të mbjellë censurën, autocensurën, e më në fund një klimë të intolerancës ndaj fjalës së lirë e lirisë së shprehjes. Kur kjo intolerancë është e natyrës dhe e motivimeve fetare, situata të sillet si e rrezikshme. Ekstremistë të tillë nuk duhen lënë pa përgjigje. Sigurisht, atyre u duhet njohur e drejta ta shprehin mendimin e tyre, madje dhe ta mbrojnë këtë mendim në forma të ndryshme, por atyre u duhet kallur në kokë që Shqipëria është edhe e feve të ndryshme, por jo e radikalizmave e integralizmave fetarë, as e bartësve të tyre, që nuk merret vesh pse po i mbushin mendjen vetes se ky vend është i tyre. Këtij soji njerëzish nuk u duhet lëshuar shumë terren. E në këtë kuptim, droja e ndonjë aktori korçar përballë këtij reagimi është lajmi më i keq në këtë histori. “Unë do të takohem pa tjetër me mitropolitin e Korçës për të diskutuar lidhur me vazhdimësinë e shfaqjes. Nuk mund të jemi indiferentë ndaj reagimeve që bëhen, dhe sigurisht do ta rishikojmë këtë punë”, citohet të ketë thënë Zamira Kita, aktorja e njohur, njëherazi drejtoresha e Teatrit të qytetit.
Kjo është një përunjësi dhe empathi e tepërt. Me qëndrime të tilla ringjallet (mos ka ardhur koha të marrim leje tek despotët e Kishës dhe për përmendjen e termit “ringjallje”?) në një formë tjetër praktika e shëmtuar e censurës. Thjesht vendin e Partisë së Punës e ka zënë kisha (dhe xhamia në rrethana të tjera), dhe vendin e komunistëve e kanë zënë besimtarët, për më tepër, ata fondamentalistë, të cilët i kanë të hazërta në çdo rast autodafétë apo fatwat e tyre.
Top Channel