FATOS BAXHAKU – Njihet Homo Neanderthaliensis, apo Homo Sapiens, disa
thonë se ekziston edhe Homo Balcanicus. Ne kemi nisur të ngjizim një
lloj tjetër: Homo Politicus. Një soj qenieje njerëzore që politikën e ka
jo vetëm ushqim, por edhe shërim, hare, pasion, perëndi, gati-gati
ajër.

Jo vetëm tani, në pragzgjedhjesh, por edhe më parë, jemi të rrethuar ngado e kurdoherë nga politika, apo nga njerëzit që flasin vetëm e vetëm për të. Politika nuk është se bëhet vetëm nëpër zyrat e partive apo në foltoret e Parlamentit. Ajo është e kudondodhur: ndër shtëpi në dukje të qeta, ndër kafene të vogla fshatrash të humbur, në rrugët e gjera të kryeqytetit, ndër periferi e qendra qytetesh, në male, lumenj e fusha, madje edhe në shkolla. Kudo zhurmërima e vazhdueshme e politikës hyn e del pa trokitur ndër vatrat e shqiptarëve.

Dikur, në kohë të qoftëlargut, fëmijëve krejt motakë u bënin një mësim të fortë politik. Në vend të fjalës mama apo baba ato duhej të dinin më parë fjalët Parti dhe Enver. Ata ishin prindërit e vërtetë dhe jo ata që u kishin bërë kokën. Kështu që, në kuptimin e politizimit të gjërave deri në palcë, e kemi një traditë, madje të fortë fort. Sa për ta zhdramatizuar disi situatën dhe meqë jemi bash e në temë, në Shkodër tregojnë se andej nga mesi i viteve ’80 disa miq e kishin bërë zakon që ta pinin një kafe çdo të diel në verandën e Hotel Turizmit. Një “magjype” e vogël kishte edhe ajo zakonin e saj dhe u kërkonte me këmbëngulje ndonjë njëqindlekësh monedhë të kohës. Një nga këto të diela miqtë u bezdisën aq shumë nga lypsarja e mitur saqë e përzunë pa gjë. Thuhet se kjo e revoltuar u është kthyer: Ashtu! Epo mirë atëherë, unë po iki se nuk kam nevojë aspak për ju. Unë kam nënë time Parti! Atëherë një nga shkodranët i ka zgjatur dhjetëfishin e asaj që i jepte përherë duke iu drejtuar: Aaaa, ashtu keka puna? Merri pra ito se ia paske kputë krytin satam. (Merri këto se qenke fiks si jot ëmë). Nuk po zgjatemi më shumë me traditën tonë autopolitizuese, sepse brezi i ri do të mendonte me siguri keq për paraardhësit e tij.

Kur, më në fund dolëm nga demokracia, përveç ëndrrave të tjera që thurëm, ishte edhe ajo që do të na binin veshët rehat nga parullat, demagogjia, premtimet, dashamirësia e shtirur, të gjitha gjëra që krejt shqiptarët i kishin hequr vetë mbi kurriz. Shpresonim kështu, sepse në thelbin e saj demokracia është ajo që e lë njeriun të vendosë vetë se çfarë të mendojë e se ç’të bëjë me jetën e tij dhe të njerëzve të afërt. Demokracia nuk është ofenduese, nuk është ajo që e merr njeriun për dore duke i thënë: Hajde këtu se ti nuk di gjë. Ta them unë se çfarë të bësh. Jo demokracia, të paktën sikurse kemi lexuar e na kanë thënë, është ai sistem që nuk ofendon inteligjencën njerëzore, përkundrazi e respekton atë.

Sigurisht që politika, politikanët kanë mbajtur një barrë të rëndë mbi supe në këto vitet e fundit. Sigurisht që politika është i vetmi mjet që zëri i popullit të mbërrijë në Parlament, sigurisht që ende nuk është shpikur një rrugë tjetër për të mbajtur në këmbë një vend. Autori i këtyre radhëve aspak nuk ka ndërmend që të mohojë vlerat e politikës, sidomos të disa politikanëve të spikatur në këto 20 vitet e fundit, porse ama politizimi edhe falë tyre ka mbërritur deri në palcë.

Të jenë reminishencat e dekadave të fundit, kur çdo gjë pritej nga lart? Të jetë mungesa e besimit që individi shqiptar ka në vetvete? Të jenë mbeturinat anadollake në subkoshiencë, sipas së cilës gjërat ecin ashtu si janë shkruar “atje lart”?

Mbase të gjitha këto kanë ndikuar, porse për mendimin tonë modest politizimi deri në palcë i shoqërisë dhe individit i ka interesuar në radhë të parë vetë politikës. Kjo ka kërkuar kudo, ngado, e kurdoherë ushtarë të bindur. Dihet mirëfilli se bazën e një shoqërie nuk e përbëjnë as të pasurit dhe as të varfrit. Të parët janë shumë ndikues, porse ata hyjnë në disa lidhje politike dhe financiare, të cilat jo gjithnjë janë të suksesshme. Të dytët janë lehtësisht të manipulueshëm. Mjafton një thes me miell dhe merr krejt votat e një familjeje të madhe. Shumë prej deputetëve të sotëm e dinë fort mirë këtë gjë. Ajo që përbën ashtin e një vendi është shtresa e mesme. Në vende normale, kjo është më e pavarur, sepse jetesën e saj e bazon në profesionin dhe punën. Kështu që mendimet i thotë hapur, sepse nuk ka frikë nga askush përderisa ka shpatullat e veta. Nga kjo shtresë dalin zakonisht mjekët, mësuesit, artistët, shkencëtarët… Ndodh kështu, sepse kjo shtresë është e çliruar nga makutëria për pasuri dhe nga frika për të nesërmen.

Le t’i hedhim një sy shtresës sonë të mesme. Nëse përjashtojmë ndonjë biznesmen të mesëm, atëherë ajo përbëhet nga mësues, mjekë, dhe nëpunës të të gjitha niveleve, juristë dhe ushtarakë. Sa e pavarur mund të jetë kjo kategori, kur, sa herë që ndërrohet shefi, i emëruar nga qerthulli i politikës, i shkreti mjek, mësues apo nëpunës sheh ëndrra me tmerre? Sa e pavarur është te ne kjo kategori, kur e detyrojnë me pahir, me urdhër nga lart, që të lërë, mësimin, zyrën, ambulancën dhe të shkojë të brohorasë në miting?

Autorit të këtyre radhëve një plak i moçëm në Aranitas të Mallakastrës ia shpjegonte këtë punë kështu: “E di more bir, e di, që flasim shumë për politikë. Edhe neve vetë na ka ardhur në majë të hundës, por ja sepse. Ne kemi dy policë nga fshati. Me punën e këtyre të dyve mbahen disa familje këtu. Tani, nëse fitojnë të tjerët në zgjedhje, këta dy policët tanë i merr lumi dhe hajde pastaj të nisësh nga e para. E more vesh nashti se përse jemi kaq të zjarrtë në politikë?”. Fjalë me mend. Jo vetëm politika i ka zënë mat individët duke i mbajtur të lidhur me vendin e punës, por ka arritur që shumë prej tyre të nisin të besojnë edhe vetë që ai që kanë mbi krye ka gjithnjë të drejtë, madje në mënyrë absolute. Të tjerë shpresojnë se duke u bërë theror për politikën do të kapin ndonjë vend pune. Idealet, fjalët e bukura, shpresat e mëdha, të gjitha këto dalin në plan të dytë apo të fundit fare. Këta janë njerëzit që e ndajnë veten në “ne” dhe “ata”, njësoj si dy ushtri në një betejë të qëmotit.

Ne mund të flasim pa fund për zgjedhje të lira e të ndershme, mund të flasim edhe për vjedhjen e votës, porse a ka vjedhje më të madhe sesa kur e detyron një njeri që të votojë edhe kundër asaj që mendon vetë? A ka vjedhje më të madhe sesa të vjedhësh simpatinë, mendimin, të drejtën për të menduar lirisht? Sa kohë politika do ta vazhdojë ta mbajë të lidhur këmbë e duar Homo Politicus dhe sa kohë që ky do të vazhdojë të shohë tek ajo “Nënën tonë Parti”, po aq kohë ajo demokracia që patëm ëndërruar në fillim do të jetë vetëm një vijë e hollë, shumë e largët, tej në horizont.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA