Juventus njofton blerjen e Fernando Llorente

24/01/2013 00:00

“Telenovela” Fernando Llorente më në fund ka përfunduar. Juventus ka njoftuar zyrtarisht se sulmuesi i Athletic Bilbao do të veshë fanellën bardhezi në sezonin e ardhshëm.

Më 1 korrik, ditën që futbollistit spanjoll do i përfundojë kontrata me klubin bask, “Zonja e Vjetër” do të marrë menjëherë shërbimet e tij. Llorente do të firmosë për 4 sezone, me opsionin për një të pestë nëse Juventus do të mbesë i kënaqur nga shtatlarti. Paga e sulmuesit do të jetë 4.5 milionë euro në sezon.

Fernando Llorente largohet kështu nga Athletic Bilbao pas nëntë sezonesh ku ka shënuar 116 gola në 314 ndeshje.

Në një komunikatë të publikuar në faqen e tij zyrtare, Llorente shprehet se ka plotësuar një ëndërr.

“Gjithmonë kam ëndërruar të isha pjesë e një skuadre të madhe si Juventusi. Falenderoj Athletic Bilbao dhe tifozët e kësaj skuadre për të gjithë vitet së bashku pasi jam plotësuar si futbollist dhe kam arritur suksese të mëdha sportive”, lexohet në komunikatën e 28-vjeçarit.

Top Channel